back to top
17.5 C
Tirana
E mërkurë, 11 Mars, 2026
spot_img
KreuAktualitetEkonomiaJorida Tabaku: Çmimet e karburanteve po rriten pa arsye, depozitat janë plot

Jorida Tabaku: Çmimet e karburanteve po rriten pa arsye, depozitat janë plot

Deputetja e PD, Jorida Tabaku, ka reaguar përmes një videoje në rrjetet sociale lidhur me rritjen e çmimeve të karburanteve në vend, duke e cilësuar situatën si pasojë të një sistemi ekonomik të korruptuar që, sipas saj, dëmton drejtpërdrejt qytetarët shqiptarë.

Sipas Tabakut, pikat e karburantit kanë rritur çmimet në mënyrë të menjëhershme dhe në nivele të larta, ndonëse në bursat ndërkombëtare nuk ka pasur ende një rritje që ta justifikojë këtë reagim të menjëhershëm në treg. Ajo theksoi gjithashtu se depozitat e karburantit janë të mbushura, duke ngritur dyshime për spekulim me çmimet.

Deputetja demokrate kritikoi edhe institucionet përgjegjëse për mbikëqyrjen e tregut, duke përmendur Autoriteti i Konkurrencës dhe qeverinë, të cilat sipas saj po krijojnë përshtypjen se po kontrollojnë situatën, ndërsa në praktikë nuk po ndërmarrin masa konkrete për të mbrojtur konsumatorët.

Tabaku theksoi se, ndryshe nga Shqipëria, disa vende të rajonit kanë ndërmarrë masa për të përballuar rritjen e çmimeve, ndërsa në vend, sipas saj, qytetarëve u ofrohet vetëm propagandë.

“Rritja e çmimeve pa u reflektuar ende në bursat ndërkombëtare dhe me depozitat e mbushura është në dëm të drejtpërdrejtë të qytetarëve shqiptarë. Ky është rezultat i një sistemi të korruptuar ekonomik që ka kapur çdo hallkë të tregut, nga pikat e karburantit deri tek çmimet që paguajnë çdo ditë qytetarët,” u shpreh Tabaku.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat