Mesfushori i Kombëtares, Julian Shehu, që aktivizohet te ekipi polak Widzew Lodz, po kalon një moment të mirë me gola dhe asist, ndërsa ka folur në emisionin “Studio Sportive” në Vizion Plus, nën moderimin e Vilma Masha.
Shehu tha se është i kënaqur me formën aktuale, por theksoi se shpreson të shmangë dëmtimet dhe të ndihmojë sa më shumë skuadrën e tij.
“Jam i kënaqur me formën që po kaloj, shpresoj të vazhdoj kështu. Uroj të mos kem dëmtime dhe të mundohem t’a ndihmoj ekipin sa më shumë të mundem. Për momentin nuk jemi aty ku duhet me ekipin, por shpresoj që gjërat të rregullohen”, tha ai.
Ai foli edhe për diferencat e roleve mes klubit dhe Kombëtares:“Te Widzew Lodz luaj pak më i avancuar, ndërsa me Shqipërinë më i tërhequr. Sigurisht që respektojmë taktikat e trajnerëve. Diferenca mes kampionatit polak dhe atij shqiptar është te intensiteti, stërvitja dhe cilësia, që është më e lartë në Poloni”, u shpreh Shehu.
Sa i përket ndeshjes së radhës me Serbinë, Shehu u shpreh i bindur se ekipi do të japë gjithçka në fushë.
“Ne jemi profesionistë. Ndaj Serbisë duhet të japim maksimumin. Është ndeshje me presion dhe trysni, por duhet ta kthejmë në favorin tonë. Nuk di të them nëse na favorizon zhvendosja e ndeshjes nga Beogradi në Leskovac, por është ndeshje direkte dhe do bëjmë maksimumin”, ka thene nder te tjera Shehu.