Juve bën “Zonjën” e madhe në Champions, “thyen” 2-0 Man.City dhe rikthehet fuqishëm në garë për të siguruar një biletë për më tej në Champions. Ekipi i Thiago Motta-s zhvilloi një ndeshje thuajse perfekte, mbi të gjitha në fraksionin e dytë, ku dy gola të bukur, të Vlahovic dhe McKennie sollën festë në Torino. Man,City vijon të përjetojë makthe, e kanë të pamundur të dalin nga një periudhë e errët që i ka mbërthyer, tani rrezikojnë jashtëzakonisht shumë pasi në dy ndeshjet e fundit duhet të përpiqen të sigurojnë të paktën një biletë për në fazën “play-off”.
Pjesa e parë dhuroi pak emocione, pak raste për shënim, ku spikati një ndërhyrje e magjishme e Di Gregorio ndaj Haaland. Në fraksionin e dytë ishte Vlahovic që me kokë në shtyllën e dytë realizoi një gol të bukur duke kaluar Juven në avantazh. Me Haaland dhe pjesën tjetër të ofensivës të fikur totalisht, Man.City bëri pak për t’u rikthyer në lojë. Në minutën e 75-të, ishte McKennie që finalizoi me gol një kundërsulm të shpejtë duke hipotekuar fitoren e Juves.
Me 11 pikë në 6 ndeshje, “Zonja e Vjetër” renditet në vendin e 14-të, zona “play-off” është thuajse e sigurt, ndërsa kualifikimi direkt nuk është vetëm në dorën e sajë. Me 8 pikë në 6-të ndeshje, City e sheh veten në vendin e 22-të, shumë pranë vijës së kuqe.
Suksesi i Juves përballë Man.City solli festë edhe në të përditshmet italiane: “Zonja e Madhe, Juve e vërtetë apo përrallorë”, ishin disa nga titujt kryesorë.