Juventusi është shumë aktiv në merkato dhe pas afrimit të Jonathan David, priten edhe përforcime të tjera për trajnerin Igor Tudor.
Emri më i nxehtë është ai i Nahuel Molina, që pritet të largohet nga Atletico Madrid. Klubi spanjoll kërkon 30 milionë euro dhe dëshiron të lirojë një vend për lojtarët ekstrakomunitar. Molina, që më parë ishte propozuar edhe Milanit, nuk do ta kishte problem një rikthim në Itali dhe një huazim është një pistë e mundshme.
Për sulmin, objektivi kryesor mbetet Jadon Sancho, që nuk është grumbulluar për turneun në SHBA nga Manchester United dhe është jashtë planeve të trajnerit Ruben Amorim. Nottingham Forest është interesuar për të, por lojtari preferon Juventusin. Megjithatë, transferimi varet nga largimet e mundshme të Vlahovic, Nico Gonzalez dhe Douglas Luiz.
Operacioni më i realizueshëm për momentin duket ai për Joao Mario të Portos. Pas marrëveshjes për Francisco Conceição, që tashmë është zyrtarisht një futbollis i Juventusit, klubi bardhezi mund të shfrytëzoj marrëdhëniet e mira me portugezët e Portos, teksa mund të arrijë një shkëmbim me Alberto Costa dhe të përfitojë edhe 3-4 milionë euro. Negociatat janë në fazë të avancuar, por ende po punohet për detajet.