Kadastra e Vlorës është mbyllur përfundimisht mëngjesin e kësaj të hëne, pas urdhrit për transferimin e strukturës drejt Tiranës, një vendim që ka hyrë në fuqi pavarësisht kundërshtimeve të forta nga punonjësit dhe qytetarët.
Sipas burimeve, një pjesë e stafit është zhvendosur sot drejt Tiranës, ndërsa një tjetër pjesë është transferuar në Fier. Punonjësit që nuk kanë pranuar asnjërën nga këto dy alternativa pritet të largohen nga puna, duke thelluar pasigurinë për fatin e dhjetëra familjeve.
Ndërkohë, në ambientet e zyrës së Kadastrës ndodhen ende disa punonjës, të cilët po përgatisin dosjet e fundit për transferim, duke vulosur kështu mbylljen përfundimtare të një prej institucioneve më të rëndësishme për qytetin e Vlorës.
Vendimi ka shkaktuar reagime të forta edhe nga qytetarët, të cilët shprehen se mbyllja e Kadastrës do të vështirësojë ndjeshëm shërbimet, duke i detyruar të udhëtojnë drejt qyteteve të tjera për çështje pronësie dhe dokumentacioni.
Kadastra e Vlorës ka qenë një institucion kyç për trajtimin e pronave dhe legalizimeve në një nga zonat me problematikat më të ndërlikuara të pronësisë në vend. Mbyllja e saj ngre pikëpyetje mbi aksesin e qytetarëve në shërbime publike dhe mbi politikat e centralizimit të institucioneve shtetërore.



