Një tjetër situatë e tensionuar është shënuar në Kadastrën e Vlorës, pas mbërritjes së një urdhri zyrtar për mbledhjen urgjente të dosjeve të pronave dhe përgatitjen e tyre për transferim drejt Tiranës.
Sipas burimeve, urdhri është dhënë nga drejtuesi i Kadastrës së Vlorës dhe u është komunikuar punonjësve për zbatim të menjëhershëm. Mësohet se për shkak të nxitimit, disa prej dosjeve pritet të dërgohen pa procesverbal shoqërues, çka ka ngritur shqetësime serioze mbi sigurinë dhe gjurmueshmërinë e dokumentacionit të pronësisë.
Punonjësit e institucionit kanë shprehur hapur kundërshtimin ndaj këtij vendimi, duke e cilësuar të nxituar dhe të paqartë në procedurë. Si reagim, ata po përgatisin një shkresë zyrtare kundërshtuese, e cila pritet të firmoset nga një numër i madh punonjësish dhe t’u dërgohet institucioneve përkatëse.
Kjo lëvizje vjen në vazhdën e përplasjeve të mëparshme lidhur me planin për zhvendosjen e zyrës së pronave nga Vlora drejt Tiranës, një proces që është hasur në refuzim të fortë nga stafi. Punonjësit kanë argumentuar se një zhvendosje e tillë, e kryer pa transparencë dhe pa një plan të qartë, rrezikon jo vetëm funksionimin normal të institucionit, por edhe administrimin korrekt të dosjeve të pronësisë.
Burime pranë Kadastrës bëjnë me dije se situata mbetet e tensionuar dhe nuk përjashtohet mundësia e përshkallëzimit të reagimeve në ditët në vijim, nëse urdhri për transferimin e dosjeve do të zbatohet pa dialog dhe garanci ligjore.



