Agjencia Shtetërore e Kadastrës ka reaguar zyrtarisht lidhur me vendimin për zhvendosjen e Kadastrës së Vlorës në Tiranë, duke theksuar se ky proces synon përmirësimin e shërbimeve ndaj qytetarëve dhe rritjen e eficiencës administrative.
Sipas ASHK-së, prej kohësh proceset kadastrale për disa drejtori vendore janë të lokalizuara në Tiranë, si pjesë e një modeli organizimi që synon optimizimin e burimeve njerëzore dhe unifikimin e praktikave të punës. Ky model, sipas institucionit, është zbatuar që prej vitit 2021, fillimisht me drejtoritë e Durrësit dhe Krujës, për t’u zgjeruar më pas edhe në Shkodër, Kavajë, Kamëz–Vorë dhe së fundmi Vlorë.
ASHK thekson se të gjitha aplikimet për shërbime kadastrale kryhen online përmes portalit e-Albania dhe shërbimet u ofrohen qytetarëve në mënyrë elektronike, pa qenë e nevojshme prania fizike në zyrat e kadastrës. Dokumentacioni shoqërues, përveçse ngarkohet në sistem, dërgohet edhe përmes Postës Shqiptare në drejtorinë përkatëse, pavarësisht vendndodhjes së saj.
Në kuadër të këtij riorganizimi, edhe pjesa e mbetur e punonjësve të Kadastrës në qytetin e Vlorës do të zhvendoset në Tiranë. Sipas ASHK-së, ky hap synon përshpejtimin e trajtimit të dosjeve dhe administrimin më efikas të proceseve të parashikuara nga legjislacioni në fuqi.
Institucioni nënvizon se falë digjitalizimit dhe sistemeve të avancuara, specialistët mund të përpunojnë dokumentacionin ligjor dhe hartografik pa qenë fizikisht në territorin ku ndodhet prona apo aplikuesi.
Në reagimin e saj, Agjencia siguron banorët e Vlorës se mbetet e përkushtuar për rritjen e cilësisë së shërbimeve kadastrale, përshpejtimin e procesit të legalizimeve dhe përfundimin e regjistrimit fillestar në zonat e mbetura të qarkut.
ASHK thekson se digjitalizimi i proceseve mbetet prioritet, me synimin për të ofruar shërbime më të shpejta, transparente dhe të besueshme për çdo qytetar.



