back to top
24.5 C
Tirana
E shtunë, 21 Qershor, 2025
spot_img
KreuAktualitetKancelari gjerman: Rusia po përgatitet për konfrontim të ri ushtarak

Kancelari gjerman: Rusia po përgatitet për konfrontim të ri ushtarak

Kancelari gjerman Friedrich Merz ka ngritur shqetësimin se disa ligjvënës në Shtetet e Bashkuara nuk e kuptojnë plotësisht shkallën e riarmatimit të Rusisë. Deklarata e tij u bë publike të premten, një ditë pasi zhvilloi një takim në Shtëpinë e Bardhë me presidentin amerikan Donald Trump.

“U takova me disa senatorë në Capitol Hill dhe u kërkova të vëzhgonin më nga afër përshkallëzimin ushtarak të Rusisë”, tha Merz në një konferencë biznesi në Berlin, sipas agjencisë Reuters.

“Ata dukshëm nuk janë të ndërgjegjshëm për atë që po ndodh atje”, shtoi ai, pa bërë të ditur emrat e senatorëve.

Sipas burimeve të Reuters, që prej fillimit të pushtimit në shkallë të plotë të Ukrainës në shkurt të vitit 2022, Rusia ka zhvendosur prodhimin ushtarak në modalitet 24 orësh dhe ka lidhur marrëveshje armësh me Korenë e Veriut dhe Iranin. Këto zhvillime kanë ngjallur shqetësim mes zyrtarëve evropianë se Moska mund të jetë së shpejti në një pozicion për të kërcënuar drejtpërdrejt territorin e NATO-s.

Rusia i ka mohuar akuzat për ambicie të tilla, duke këmbëngulur se është e angazhuar në një “operacion të posaçëm ushtarak” në Ukrainë për të mbrojtur sigurinë kombëtare nga, siç e cilëson ajo, një Perëndim armiqësor.

Merz, i cili mori postin e kancelarit në maj, është një nga liderët e fundit evropianë që vizitoi Donald Trump, me qëllim për ta bindur për rëndësinë e mbështetjes ndaj Ukrainës dhe për të ruajtur angazhimin e SHBA-së ndaj sigurisë evropiane përmes NATO-s.

Ai tha se u inkurajua nga deklarata publike e Trump gjatë takimit në Zyrën Ovale, ku presidenti amerikan tha qartë “jo” kur u pyet nëse SHBA kishte në plan të tërhiqej nga aleanca ushtarake.

Që prej shpërthimit të luftës, vendet evropiane kanë rritur ndjeshëm buxhetet e mbrojtjes. Merz ka qenë ndër nismëtarët për ndryshimin e kushtetutës gjermane në mënyrë që investimet ushtarake të përjashtohen nga kufizimet e huamarrjes, duke premtuar shpenzime të qëndrueshme për mbrojtjen dhe infrastrukturën me përdorim të dyfishtë.

Kancelari gjerman gjithashtu e ka përkrahur publikisht qëndrimin e Trump për rritjen e kontributeve të vendeve anëtare të NATO-s, duke e cilësuar të arsyeshëm objektivin ambicioz për të arritur në 5% të PBB-së për shpenzime ushtarake. Trump e mirëpriti këtë angazhim dhe siguroi Merz se trupat amerikane do të vazhdonin të qëndronin në Gjermani.

“Na pëlqen apo jo, ne do të mbetemi të varur nga Shtetet e Bashkuara… për një kohë të gjatë”, deklaroi Merz.

Rusia ka njoftuar se buxheti i saj i mbrojtjes për vitin 2025 do të arrijë në 13.5 trilionë rubla (rreth 149 miliardë euro), që përfaqëson një rritje prej 25% krahasuar me vitin e kaluar. Ushtria do të përthithë kështu afro 32% të totalit të shpenzimeve publike të vendit – niveli më i lartë që nga fundi i Luftës së Ftohtë.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat