Gjergji Nika, kandidat i pavarur për zgjedhjet e pjesshme lokale në Vlorë, ka akuzuar Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) se po vepron në kundërshtim me ligjin, duke kërcënuar përjashtimin e tij nga lista përfundimtare të garës për zgjedhjet e 9 nëntorit.
Në një reagim të publikuar në rrjetet sociale, Nika thekson se regjistrimi i tij është kryer brenda afateve ligjore, por sipas informacioneve që ka marrë, emri i tij mund të mos përfshihet në listën e kandidatëve.
“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve duket se ka zhbërë kufijtë ndërmjet administrimit dhe abuzimit, duke përdhosur rregullin ligjor për interesa politike,” – shkruan Nika.
Ai shton se ky veprim, sipas tij, është rezultat i marrëveshjeve të fshehta midis partive të mëdha, PD dhe PS, duke e bërë KQZ-në një instrument të politikës së vjetër, në vend që të mbrojë të drejtën kushtetuese të qytetarëve për të kandiduar sipas ligjit.
Nika thekson rëndësinë e Nenit 70 të Kodit Zgjedhor, që garanton pjesëmarrjen reale të qytetarëve përmes mbledhjes së firmave dhe parashikon përjashtime vetëm për raste të veçanta, ndërsa sipas tij, këto përjashtime po keqpërdoren për të favorizuar kandidaturat e partive kryesore dhe oligarkëve.
“Kandidatët e pavarur luftojnë me pengesa, vonesa dhe interpretime të qëllimshme të ligjit. Kjo nuk është garë e ndershme. Demokracia nuk është pronë e partive, as e zyrave të KQZ-së. Demokracia është e qytetarëve dhe për qytetarët,” – përfundon ai.
Gjergji Nika paralajmëron se nëse KQZ vazhdon të heshtë përballë kësaj situate, ai do të ndjekë çdo formë ligjore për të mbrojtur të drejtën e qytetarëve dhe pjesëmarrjen e tij në zgjedhje.



