Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka sqaruar se kandidatura e Florjan Binajt për Tiranën është e pavarur dhe se nuk do të ketë ndërhyrje nga PD në mënyrën se si ai do të zhvillojë fushatën.
Berisha tha se roli i partisë do të jetë vetëm mbështetës, duke respektuar të drejtën e kandidatit për të vendosur vetë mbi mënyrën e organizimit dhe ndihmën që do të kërkojë.
“Asnjë hap nuk mund të ndërmerret pa kandidatin. Nëse kemi rënë dakord për një kandidat të pavarur, kjo nuk do të thotë se ne do i diktojmë atij. Do jetë ai që do gjejë ndihmën që kërkon nga forca jonë politike dhe forcat e tjera politike,” tha Berisha.
Ai shtoi se PD është e gatshme të angazhojë të gjitha potencialet e saj për të ndihmuar kandidaturën e Binajt, por vetëm sipas kërkesës dhe nevojave që ky i fundit do të vlerësojë.
“Jemi të gatshëm të angazhojmë, pas rënies dakord me forcat e tjera politike, të gjitha potencialet tona që kandidati e gjykon se i shërbejnë fitores së tij,” theksoi kreu i PD-së.
Kandidatura e aktorit Florjan Binaj është propozuar nga PD si kandidaturë e përbashkët për garën në kryeqytet, duke pritur edhe dakordësinë e aleatëve opozitarë.