Deklaratat e dy ministrave të qeverisë për situatën e çmimeve të karburanteve në vend kanë nxjerrë në pah një qasje të ndryshme mbi mundësinë e rikthimit të Bordit të Transparencës, në një kohë kur tregu po ndikohet nga kriza globale.
Gjatë takimit me furnizuesit e naftës, Ministri i Financave Petrit Malaj paralajmëroi se nëse konstatohen abuzime në treg, qeveria do të detyrohet të rikthejë Bordin e Transparencës, një mekanizëm i përdorur më herët gjatë krizës së luftës në Ukrainë.
Sipas tij, Task-Forca e ngritur së fundmi, në bashkëpunim me Doganat dhe Tatimet, po operon në terren me dy objektiva kryesorë, monitorimin e çmimeve dhe marzheve të fitimit, si dhe luftën kundër evazionit fiskal.

“Kemi evidentuar shkelje të tjera dhe janë marrë masa, por strukturat do vijojnë kontrollin. Nëse ka abuzime, do detyrohemi të ringremë Bordin e Transparencës”, deklaroi Malaj, duke dhënë një sinjal të qartë për ndërhyrje të mundshme në treg.
Në të njëjtën linjë, por me një ton më të kujdesshëm, Ministrja e Ekonomisë Delina Ibrahimaj u shpreh se aktualisht nuk ekzistojnë kushtet për rikthimin e Bordit, duke argumentuar se luhatjet e çmimeve në Shqipëri kanë qenë më të moderuara krahasuar me tregjet ndërkombëtare.

Ajo theksoi se ndërsa në bursë çmimet janë rritur deri në 40%, në tregun vendas rritja ka qenë vetëm 10-15%, çka sipas saj tregon një stabilitet relativ.
“Gjykojmë që nuk jemi ende në kushtet për të ringritur Bordin, ndonëse hapësira ligjore ekziston. Por nëse do të ketë abuzime në marzhet e fitimit, do të ndërhyjmë”, u shpreh Ibrahimaj.
Të dy ministrat bien dakord në një pikë kyçe se rikthimi i Bordit mbetet një opsion i hapur, por i kushtëzuar nga sjellja e tregut dhe marzhet e fitimit të operatorëve.
Qeveria mes monitorimit dhe ndërhyrjes
Deklaratat tregojnë se qeveria po ndjek një strategji në dy drejtime. Nga njëra anë monitorim i vazhdueshëm përmes Task-Forcës në terren, dhe nga ana tjetër mbajtja gati e instrumenteve ndërhyrëse, siç është Bordi i Transparencës.
Ky qëndrim vjen në një moment kur çmimet e naftës mbeten të paqëndrueshme në tregjet globale, ndërsa autoritetet shqiptare synojnë të shmangin reflektimin e plotë të krizës mbi konsumatorët.
Në këtë kontekst, mesazhi i qeverisë është i dyfishtë për bizneset, një paralajmërim për të shmangur abuzimet, dhe për qytetarët, një garanci se ndërhyrja do të ndodhë vetëm nëse situata e kërkon.
E Vërteta.al (E.S)
Qeveria gati të ndërhyjë në tregun e naftës/ Rama mesazh të fortë kompanive
Qeveria “monitoron”, tregu manipulon/ A do të kthehet Bordi i dështuar i Karburanteve?



