back to top
12.5 C
Tirana
E premte, 31 Tetor, 2025
spot_img
KreuAktualitetKatër herë kryeministër dhe një revolucion brenda PS/ Fatos Nano, lideri socialist...

Katër herë kryeministër dhe një revolucion brenda PS/ Fatos Nano, lideri socialist që mbylli sytë sot

Shuhet në moshën 73-vjeçare ish-kryeministri Fatos Nano. Ky i fundit prej kohësh vuante nga probleme me shëndetin, të cilat duket se këtë herë s’i kapërcehu dot.

Fatos Nano është një nga figurat më emblematike të politikës shqiptare pas rrëzimit të regjimit komunist. Karriera e tij nisi nga radhët e Partisë së Punës, por shpejt ai u shndërrua në udhëheqës të Partisë Socialiste, duke transformuar thelbësisht mentalitetin dhe strukturën e saj, larg trashëgimisë komuniste.

Në drejtimin e tij, Partia Socialiste u modernizua dhe mbeti e hapur ndaj debatit të brendshëm, ndërsa Nano imponoi autoritetin e tij përmes betejave politike dhe mbështetjes së anëtarësisë, jo vetëm pushtetit formal. Megjithatë, periudha e tij qeverisëse nuk mungoi nga kritikat për korrupsion dhe sulmet për jetën private, duke përfshirë pasionin e tij për makina dhe jetën e natës.

Edukimi dhe fillimi i karrierës

I lindur më 16 shtator 1952 në Tiranë, Nano përfundoi gjimnazin “Sami Frashëri” dhe më 1975 u diplomua për ekonomi politike në Universitetin e Tiranës. Fillimisht punoi si ekonomist në Kombinatin Metalurgjik të Elbasanit dhe në Institutin e Studimeve Marksiste-Leniniste, ku dha edhe leksione në fakultete të ndryshme. Karakterizohej nga mprehtësia e mendimit dhe mendësia liberale.

Nga Sekretar i Këshillit të Ministrave në kryeministër

Në fund të vitit 1990, pas protestave studentore dhe përpjekjeve për reformë, Nano u emërua Sekretar i Përgjithshëm i Këshillit të Ministrave, më pas zëvendëskryeministër dhe më 1991 kryeministër. Ai udhëhoqi zgjedhjet e para pluraliste, duke u bërë kryeministri i parë i një Shqipërie demokratike. Më 12 qershor 1991, ai u zgjodh kryetar i Partisë Socialiste, e cila sapo kishte lindur nga transformimi i Partisë së Punës.

Burgimi dhe betejat brenda PS

Në korrik 1993, Nano u arrestua për abuzim me ndihmat italiane dhe u dënua me 12 vite burg. Megjithatë, ai arriti të ruante kontrollin mbi bazën e Partisë Socialiste dhe u lirua më 1997 nga amnistia. Pas kësaj, ai rimori drejtimin e qeverisë dhe të partisë, duke kaluar periudha të vështira, përfshirë trazirat e pas rënies së firmave piramidale dhe krizat politike pas vrasjes së Azem Hajdarit në 1998.

Përballjet dhe strategjia politike

Nano tregoi aftësi strategjike në përballjet me brendësinë e partisë dhe kundërshtarët politikë. Ai fitoi garën me Pandeli Majkon për kryetar të PS në vitin 1999, duke demonstruar demokracinë brenda partisë, dhe më pas ndau drejtimin e qeverisë me Ilir Metën dhe Pandeli Majkon, duke ruajtur pozicionin e tij.

Në vitet 2001-2004, Nano u rikthye fuqishëm në skenën politike, duke mbajtur postin e kryeministrit dhe duke realizuar marrëveshje me Sali Berishën për reformën zgjedhore dhe zgjedhjen e Alfred Moisiut si president. Por sfidat brenda PS dhe rritja e figurave të reja, përfshirë Edi Ramën, shënuan fillimin e zbehjes së ndikimit të tij.

Humbja dhe largimi nga politika

Pas humbjes në zgjedhjet e vitit 2005, Nano u tërhoq nga drejtimi i partisë dhe nga skena politike, duke e mbajtur rolin e një figure historike dhe të respektuar. Përpjekja e tij për të kandiduar si president në 2012 nuk u realizua për shkak të kundërshtimit brenda partisë, tani nën drejtimin e Ramës.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat