back to top
19.5 C
Tirana
E diel, 15 Mars, 2026
spot_img
KreuAktualitetKërkesa e SPAK për arrestimin e Ballukut/ Rama: Çështja është e mbyllur

Kërkesa e SPAK për arrestimin e Ballukut/ Rama: Çështja është e mbyllur

Kryeministri Edi Rama ka komentuar vendimin e shumicës parlamentare për të rrëzuar kërkesën e Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) për arrestimin e zëvendëskryeministres dhe ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku.

Gjatë podcastit të tij “Flasim”, Rama u shpreh se vendimi i Kuvendit i dha fund një debati të gjatë politik dhe institucional lidhur me autorizimin për heqjen e lirisë së një deputeti. Sipas tij, Kuvendi e shqyrtoi me kujdes kërkesën dhe dokumentacionin e paraqitur dhe vendosi të mos autorizojë arrestimin, duke e konsideruar këtë çështje tashmë të mbyllur.

Kreu i qeverisë theksoi se është e papranueshme që Shqipëria të shihet si një vend me numër shumë të lartë të paraburgosurve në raport me personat e gjykuar dhe të dënuar. Ai tha se kjo situatë është kritikuar edhe nga Këshilli i Evropës dhe se praktika e paraburgimeve duhet të rishikohet, pasi sipas tij ka raste kur hetimi mund të zhvillohet edhe në gjendje të lirë.

Rama u shpreh se deputetët janë të barabartë përpara ligjit dhe duhet të hetohen nëse ka arsye për hetim, por sipas tij liria e tyre nuk mund të kufizohet vetëm mbi bazën e dyshimeve apo teorive të përgjithshme. Ai theksoi se prokurorët dhe gjyqtarët nuk mund të veprojnë pa kufij kur kërkojnë masa që lidhen me lirinë e një deputeti dhe se Kuvendi ka detyrimin të ushtrojë rolin e tij kushtetues.

Sipas kryeministrit, parlamenti nuk mund të bëjë sikur nuk sheh apo nuk dëgjon, por duhet të shqyrtojë me përgjegjësi çdo kërkesë të organeve të drejtësisë, duke mbrojtur edhe dinjitetin e institucionit dhe të përfaqësuesve të popullit.

Në këtë kontekst, Rama theksoi se në rastin e Ballukut bëhet fjalë për një hetim të nisur nga prokuroria mbi dyshimet për shkelje të barazisë në tendera që datojnë rreth gjashtë vite më parë. Ai nënvizoi se, sipas informacionit të bërë publik, nuk ka akuza për korrupsion, përvetësim fondesh apo prova flagrante që të justifikojnë kufizimin e lirisë së një deputeti.

Kryeministri shtoi se lufta kundër korrupsionit duhet të vazhdojë me vendosmëri, por pa cenuar parimin e prezumimit të pafajësisë dhe pa e trajtuar askënd si fajtor pa një vendim të formës së prerë nga gjykata.

Debati për kërkesën e SPAK ndaj Ballukut ka shkaktuar përplasje të forta politike në vend, ndërsa shumica parlamentare vendosi të mos japë autorizimin për arrestimin e saj, duke lejuar që hetimi të vijojë pa kufizim të lirisë së deputetes.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat