Ministria e Drejtësisë ka dorëzuar zyrtarisht në Zvicër kërkesën për ekstradimin e ish-zëvendëskryeministrit Arben Ahmetaj, i cili akuzohet në dosjen “Buka” për shpërdorim detyre me dëme ekonomike që arrijnë 7 miliardë lekë. Lajmi u bë i ditur gjatë seancës në gjykatën themelore, ku gjyqtarja Irena Gjoka lexoi përgjigjet e Interpol Tiranës.
Seanca po vazhdon në mungesë të ish-nr. 2 të qeverisë, ndërsa prokurori i SPAK, Elvin Gokaj, bëri me dije se janë propozuar pyetje për 14 dëshmitarë, përfshirë edhe ish-ministrin Shkëlqim Cani.
“Kemi rënë në kontakt me një shumë të madhe parash që janë transferuar nga Shqipëria në një vend të BE-së që po verifikohet,” deklaroi prokurori i SPAK.
Avokati i Ahmetajt, Henrik Ligori, theksoi se për klientin e tij nuk ka asnjë masë sigurie në këtë çështje dhe kërkoi që çdo provë e re të paraqitet në mënyrë transparente:
“Prokurori po thotë që po na doli gjë nga kjo do ngrejmë akuzë. Nëse ka hetime të tjera, prokurori nuk kishte ngutje të mbyllte hetimet. Nuk mund të jetë proces i rregullt me akte surprizë,” deklaroi avokati.
Ligori shtoi se akuzat ndaj Ahmetajt janë njoftuar për shkak të afateve të parashkrimit, ndërsa çështja është ndarë për shkak të akteve që kanë ardhur nga Austria.



