Paraqitja mjaft e mirë e Ardjan Ismajlit në këtë sezon, ka bindur drejtuesit e Empolit se nuk duhet ta lënë të lirë mbrojtësin.
Futbollisti kuqezi është në vitin e fundit të kontratës me klubin toskan, ndërsa kërkohet nga dy ekipe të mëdha te Serie A, Interi dhe Juventusi.
Nga nisja e këtij viti futbollistik ka luajtur me Empolin 720 minuta, por nuk ka marrë kurrë asnjë karton dhe ka shkaktuar vetëm 4 faulle; një në dy ndeshje, ndërsa ka pësuar 7 të tillë.
72 janë duelet e fituara prej tij, nga të cilat 30 në luftën në ajër, ndërsa nga 245 tentativa për pasime, 195 kanë qenë të sakta me një përqindje 79.6.
Ismjali më 30 qershorin e 2025-ës mund të largohet si futbollist i lirë nga Empoli. Sipas rregullores së FIFA-s, ai mund të nisë bisedimet me një tjetër klub, duke filluar që nga janari i ardhshëm.
Sipas medias italiane “Il Tirreno”, kanë nisur bisedimet mes përfaqësuesve të futbollistit dhe Empolit për rinovimin.
28-vjeçari përfaqësohet nga kompania “Gol International”, e cila zotërohet nga menaxheri i njohur izraelit Pini Zahavi.
Nga telefonatat e para, lojtari ka shprehur gatishmërinë për të rinovuar. Së afërmi pritet që palët të ulen në tavolinë për të biseduar më me detaje për mundësinë e rinovimit./Tema