back to top
27.5 C
Tirana
E hënë, 25 Gusht, 2025
spot_img
KreuDrejtësia“Kërkoj të mos jem unë gomari”/ Si u mbrojt ish-zyrtari i Ministrisë...

“Kërkoj të mos jem unë gomari”/ Si u mbrojt ish-zyrtari i Ministrisë së Shëndetësisë në Gjykatë

Në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka nisur mbrojtja e të pandehurve në procesin gjyqësor për aferën e koncesionit të sterilizimit. Pas shpalljes së pretencës nga Prokuroria e Posaçme (SPAK), të pandehurit që kanë zgjedhur gjykim të shkurtuar po paraqesin versionet e tyre në seancat dëgjimore, ndërsa dosja është ndarë nga ajo e ish-ministrit Ilir Beqaj.

Një nga momentet më të veçanta të seancës së sotme erdhi nga Saimir Kadiu, ish-drejtor ekonomik në Ministrinë e Shëndetësisë, i cili iu drejtua gjykatës me një kërkesë të pazakontë, duke përdorur një anekdotë për të argumentuar pafajësinë e tij.

“Lexova një anekdotë para disa ditësh. Mori flakë pylli dhe u mblodhën të gjitha kafshët. Thanë: po na dënon Zoti se kemi bërë shumë mëkate. Luani tha: ‘Unë kam ngrënë shumë prej jush’, ujku e dhelpra po ashtu. Pastaj i erdhi radha gomarit që tha: ‘Pashë një lëndinë me bar të gjelbër dhe shkova e hëngra.’ Të gjitha kafshët thanë: ‘Ky është gabimi më i rëndë!’ dhe e dënuan gomarin”, tregoi Kadiu në seancë.

I pyetur nga trupa gjykuese mbi kuptimin e këtij rrëfimi, ai shtoi:

“Kërkoj të mos jem unë gomari!”

Me këtë metaforë, Kadiu theksoi se po bëhet viktimë e një procesi të padrejtë dhe se nuk ka pasur asnjë rol vendimmarrës apo ndikim në procedurat që çuan në dhënien e koncesionit të shumëdiskutuar për sterilizimin e pajisjeve kirurgjikale në spitale publike.

“Kam qenë vetëm drejtor ekonomik. Nuk kam firmosur, nuk kam marrë vendime, dhe as kam pasur të drejtë të vendos,” tha ai, duke i kërkuar gjykatës pafajësinë e plotë.

Procesi për koncesionin e sterilizimit, i konsideruar një nga skandalet më të mëdha të shëndetësisë, ka përfshirë disa ish-zyrtarë të lartë dhe është ndjekur me interes nga opinioni publik, veçanërisht për rolin e pretenduar të ish-ministrit Ilir Beqaj, i cili po gjykohet veçmas.

Seancat e ardhshme pritet të vijojnë me dëgjimin e mbrojtjes së të pandehurve të tjerë, ndërsa vendimi për këtë çështje konsiderohet një test i rëndësishëm për drejtësinë e re.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat