Kryetari i Bashkisë së Himarës, Vangjel Tavo, deklaroi se aksionet për lirimin e hapësirave publike do të vijojnë pa kompromis, pavarësisht sezonit turistik dhe fluksit të pushuesve në zonë.
Ai theksoi se nuk do të tolerohen ndërtimet e paligjshme dhe zaptimet, edhe kur bëhen gjatë natës, siç ndodhi së fundmi në qendër të Himarës.
“Vetëm mbrëmë janë vendosur dy kioska pa leje dhe që në mëngjes kemi ndërhyrë për t’i larguar. Nuk mund të lejojmë që hapësirat publike të bllokohen me justifikimin se është sezoni turistik. Ky është një fenomen që përsëritet prej vitesh dhe do të trajtohet me të njëjtën vendosmëri,” u shpreh Tavo.
Sipas tij, strukturat e bashkisë dhe policisë do të vazhdojnë operacionet në terren për të garantuar rendin urban dhe shfrytëzimin e hapësirave në funksion të komunitetit dhe turistëve.
I pyetur për paralajmërimin e kryeministrit Edi Rama mbi shkarkimet në administratën vendore, Tavo u shpreh në mbështetje të qëndrimit, duke theksuar se një rifreskim i strukturave është i nevojshëm për të rritur performancën.
“Jam dakord me kryeministrin. Administrata nuk mund të flejë gjumë, sidomos në bashkitë turistike. Njerëzit kanë pritshmëri të larta dhe duhet të përgjigjemi me punë e angazhim. Nuk mund të ketë administratorë që qëndrojnë për 10-15 vjet në detyrë,” tha ai, në një intervistë për Report TV.
Për nënkryetarët e sapoemëruar, Tavo shtoi se do t’u jepet kohë për të vlerësuar performancën, por ndryshimet në strukturat vendimmarrëse do të jenë të pashmangshme aty ku identifikohen mangësi.



