Këshilli i Lartë Gjyqësor ka reaguar pas ngjarjes së rëndë të një dite më parë, ku gjyqtari Astrit Kalaja u ekzekutua me armë zjarri në sallën e gjyqit gjatë ushtrimit të detyrës.
Në një deklaratë zyrtare, KLGJ e cilëson vrasjen “sulm ndaj themeleve të drejtësisë, ndaj autoritetit të gjykatës dhe ndaj rendit kushtetues të Republikës së Shqipërisë”.
Këshilli bën me dije se që prej dy vitesh, me shkresa të përsëritura drejtuar Policisë së Shtetit dhe Ministrisë së Brendshme, ka kërkuar shtimin e efektivëve të policisë brenda gjykatave dhe sallave të gjyqit, por përgjigja ka qenë refuzuese.
“Policia e Shtetit na ka njoftuar se është e pamundur të shtohet prania e punonjësve në gjykata për shkak të kufizimit të personelit”, thuhet në dokumentet e publikuara nga KLGJ, e cila thekson se ka paralajmëruar vazhdimisht për riskun serioz që krijonte kjo mungesë sigurie.
Aktualisht, sipas Këshillit, Policia e Shtetit ofron shërbim vetëm me një punonjës në hyrjen kryesore të gjykatave, ndërsa jashtë orarit zyrtar ruajtja kryhet nga kompania shtetërore “Illyrian Guard”.
Pas mbledhjes së jashtëzakonshme të zhvilluar sot, KLGJ vendosi të bëjë publike të gjitha shkresat dhe korrespondencën me institucionet përgjegjëse, duke kërkuar marrjen e menjëhershme të përgjegjësive institucionale për garantimin e sigurisë së gjyqtarëve dhe qytetarëve në sallat e gjyqit.




