back to top
9.5 C
Tirana
E mërkurë, 29 Tetor, 2025
spot_img
KreuAktualitetKLSH paralizohet/ Arben Shehu jep alarmin

KLSH paralizohet/ Arben Shehu jep alarmin

Audituesit e Kontrollit të Lartë të Shtetit (KLSH) po hasin pengesa nga disa institucione publike për të aksesuar databazat e të dhënave që u nevojiten për auditim. Këtë e deklaroi të mërkurën kryetari i KLSH, Arben Shehu, gjatë një seance në Komisionin për Ekonominë, Punësimin dhe Financat në Kuvend, pa përmendur emra të institucioneve që pengojnë punën.

Shehu sqaroi se zgjatjet e auditimeve nuk janë për faj të audituesve, por shkaktohen nga mosdhënia e aksesit nga institucionet e auditimit. “Kemi auditime në proces dhe nuk mund ecim përpara për shkak të mosdhënies së aksesit të institucionit që është në auditim. Ky është bllokim i procesit ligjor pa asnjë logjikë dhe përgjigje,” tha Shehu.

Kuvendi dhe përgjegjësia ligjore

Deputeti i Partisë Demokratike, Enno Bozdo, pyeti Shehun për zgjidhjet e mundshme dhe rolin e Kuvendit ndaj zyrtarëve shtetërorë që shmangin përgjegjësinë ligjore. Kryetari i KLSH theksoi se “Ligji është i qartë, nevoja është për zbatimin e tij” dhe lajmëroi se do të drejtohej në rrugë institucionale për raste konkrete të pengimit të punës së audituesve.

Ankesa për auditimin e Kryeministrit

Shehu adresoi edhe ankesa të punonjësve dhe ish-punonjësve të KLSH-së për pamundësinë për të audituar punën e Kryeministrit. Ai iu referua një letre-ankese të dorëzuar në komision, ku kërkohej “suporti i Kuvendit për KLSH-në që të kishte mundësinë të auditonte punën e Kryeministrit”.

Kryetarja e Komisionit, Milva Ikonomi, konfirmoi shqetësimin e punonjësve, por kërkoi që çështja të trajtohej në një mbledhje tjetër, ndërkohë që mbledhja e kësaj dite të përqendrohej tek raportimi i KLSH për vitin 2024.

Shehu kërkoi që komunikimi mes KLSH-së dhe Kuvendit të jetë i vazhdueshëm për të adresuar problematikat e institucionit. Ai përmendi si përvojë pozitive ngritjen e një nënkomisioni të posaçëm në legjislaturën e kaluar për të monitoruar zbatimin e rekomandimeve të auditimeve të KLSH-së nga administrata publike.

Duke paraqitur një raport të përgjithshëm, Shehu tha se gjatë vitit 2024 janë kryer 159 auditime në të gjitha hallkat e qeverisjes. Për shkeljet e evidentuara, KLSH ka bërë 13 kallëzime penale dhe 4,378 rekomandime për masa disiplinore, administrative dhe financiare.

Pyetjet e deputetëve të mazhorancës dhe opozitës u përqendruan kryesisht tek auditimet e kontratave koncensionare. Për shumicën e çështjeve, Shehu tha se auditimet janë në proces dhe sugjeroi që rezultatet të diskutoheshin në seanca të posaçme me kërkesë të Kuvendit.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat