Koalicioni “Pro Familjes dhe Jetës” zhvilloi këtë të shtunë një tubim në Sheshin “Skënderbej” kundër ligjit për Barazinë Gjinore, ku morën pjesë qytetarë të shumtë që shprehën kundërshtimin e tyre ndaj dekretimit të ligjit nga Presidenti Bajram Begaj.
Në tubim ishin të pranishëm edhe fëmijë të cikleve të ndryshme, të veshur me simbole kombëtare. Qytetarët kërkuan që ligji të mos dekretohet dhe disa ditë më parë i dorëzuan Presidentit Begaj një letër me qëndrimin e tyre.
Një nga pankartat më të shpeshta gjatë protestës lexonte: “Vrasësit e traditës = Tradhëtarë të kombit”.
Aktivistja e koalicionit, Linda Pano, në fjalën e saj bëri thirrje për mbrojtjen e fëmijëve, duke argumentuar se ligji për Barazinë Gjinore prekte fëmijët nga mosha 4 deri në 18 vjeç dhe detyron mësimin e edukimit gjinor në shkolla.
“Mos mi prek fëmijët. Ky ligj prek fëmijët nga 4 deri në 18 vjeç dhe detyron mësimin e edukimit gjinor në shkollë. 77 tradhtarë Shqipëri ta vunë kokën në hi, president mos u bëj i 78,” – tha Pano.
Tubimi u zhvillua pa incidente, ndërsa organizatorët theksuan se do të vijojnë të kundërshtojnë çdo hap që, sipas tyre, cenon traditën dhe vlerat familjare.



