back to top
9.5 C
Tirana
E diel, 23 Nëntor, 2025
spot_img
KreuAktualitetKoalicioni Pro Familjes: Ligji gjinor është keqinterpretuar, BE duhet të sqarojë

Koalicioni Pro Familjes: Ligji gjinor është keqinterpretuar, BE duhet të sqarojë

Koalicioni “Shqiptar Pro Familjes dhe Jetës”, në bashkëpunim me organizatën Diaspora për Shqipërinë e Lirë (DPSHL), ka reaguar publikisht duke njoftuar se ka dorëzuar dy kërkesa zyrtare në drejtim të institucioneve të Bashkimit Europian, pasi pretendon se opinioni publik në Shqipëri është keqinformuar lidhur me natyrën dhe burimin e detyrimeve që lidhen me ligjin e ri “Për Barazinë Gjinore”.

Sipas deklaratës, dy letra të veçanta janë adresuar në Delegacionin e BE-së në Tiranë dhe në Komisionin Europian në Bruksel, ku kërkohet qartësi mbi deklaratat e bëra nga përfaqësues të BE-së gjatë debateve parlamentare dhe publike për këtë ligj. Organizata shprehet se disa deklarata të zyrtarëve europianë, përfshirë Komisioneren Marta Kos dhe Ambasadorin Silvio Gonzato, janë interpretuar në Shqipëri si pohim se ligji është “detyrim i BE-së” dhe pjesë e detyrushme e acquis communautaire.

Sipas DPSHL, ky interpretim ka krijuar te publiku bindjen se Bashkimi Europian kërkon nga Shqipëria njohjen e një sërë identitetesh gjinore, si dhe mundësinë e ndryshimit të gjinisë me vetëdeklarim, të cilat – sipas organizatës – nuk janë të parashikuara në asnjë direktivë të BE-së. DPSHL thekson se jurisprudenca e Gjykatës së Drejtësisë së Bashkimit Europian ka sqaruar se çështjet e gjinisë, njohjes civile dhe së drejtës familjare mbeten kompetencë ekskluzive e shteteve anëtare dhe nuk përbëjnë detyrim të procesit të integrimit.

Në këtë kuadër, organizata kërkon nga institucionet europiane një konfirmim të shkruar mbi atë që kërkohet realisht nga e drejta e BE-së në fushën e barazisë gjinore, duke kërkuar edhe sqarim nëse deklaratat e bëra publikisht nga përfaqësues të BE-së kanë qenë të sakta dhe në përputhje me parimet e neutralitetit institucional.

DPSHL gjithashtu kërkon që, nëse është e nevojshme, zyrtarët europianë të korrigjojnë publikisht çdo keqinterpretim të lindur gjatë debatit, me qëllim që të shmanget konfuzioni dhe të ruhet besimi i publikut në procesin e integrimit europian. Në deklaratën e tyre thuhet se Shqipëria ka nevojë për një debat të ndershëm dhe për informacione të sakta, sidomos në çështje kaq të ndjeshme shoqërore.

Letra e dërguar në Komisionin Europian i është adresuar Presidentes Ursula von der Leyen, ndërsa komunikimi tjetër i është drejtuar Ambasadorit Silvio Gonzato dhe Delegacionit të BE-së në Tiranë. Kopje të të dyja dokumenteve, sipas DPSHL, iu janë përcjellë edhe Presidentit të Republikës së Shqipërisë.

Koalicioni “Shqiptar Pro Familjes dhe Jetës”, thekson se do të vazhdojë të ndjekë me prioritet këtë proces dhe se do të informojë publikun menjëherë pas marrjes së çdo përgjigjeje nga institucionet europiane. Sipas tyre, qëllimi kryesor mbetet transparenca dhe garantimi që procesi i integrimit të Shqipërisë të mos shoqërohet me keqkuptime apo interpretime të pasakta të të drejtës së BE-së.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat