Etleva Skonja
Kodi i ri Penal, ka shkaktuar reagime të shumta publike, kryesisht nga gazetarë, aktivistë, juristë dhe zëra të shoqërisë civile që paralajmërojnë për rrezikun që ky ligj përbën për fjalën e lirë dhe të drejtën për protestë.
Por ndërkohë që zërat kritikë përpiqen të ngrenë alarmin mbi përmbajtjen e nenit 262/1 që kriminalizon “përhapjen e panikut”, apo dispozitave që ashpërsojnë ndëshkimin për organizimin e protestave, ndaj tyre po zhvillohet një fushatë e heshtur denigrimi, sulmesh personale dhe përpjekjesh për t’i delegjitimuar publikisht.
Kush janë zërat kritikë?
Olsian Çela – Prokurori i Përgjithshëm ka mbajtur një qëndrim të matur, por ka paralajmëruar publikisht se ndryshimet në Kodin Penal duhen bërë me kujdes, duke pasur parasysh ndikimin që ato kanë në raportin e drejtësisë me të drejtat themelore. Qëndrimi i tij është parë si “i pakëndshëm” nga pushteti.

Sokol Sadushi – Kryetari i Gjykatës së Lartë dhe një nga figurat më të rëndësishme të jurisprudencës shqiptare, ka shprehur rezerva të qarta për balancat që Kodi cenon, veçanërisht në raport me lirinë e shprehjes dhe protestës. Ai ka theksuar nevojën për gjykim proporcional dhe jo penalizim politik të fjalës.

Olta Zacaj – Juriste e njohur dhe pedagoge e së drejtës penale, ka qenë ndër më të zëshmet në argumentimin se Kodi përmban nene që bien ndesh me Kushtetutën dhe Konventat Europiane. Ajo ka paralajmëruar për rrezikun e “normalizimit të autoritarizmit ligjor”.

Maks Haxhiaj – Avokat penalist me përvojë të gjatë, ka kundërshtuar fuqishëm nenet për shpifjen dhe pengimin e funksionarëve publikë, duke i cilësuar “shpata mbi gazetarët, aktivistët dhe qytetarët që protestojnë”.

Erinda Ballanca – Avokatja e Popullit u shpreh publikisht se disa nene të kodit cenojnë seriozisht të drejtën e fjalës së lirë dhe të drejtën për protesta. Ajo theksoi se “kriminalizimi i thirrjeve për protesta dhe zgjatja e afatit të ndëshkueshmërisë për këtë vepër është hap prapa në të drejtën demokratike”.

Altin Goxhaj – Avokat dhe aktivist i njohur, ka deklaruar se Kodi i ri është “mjet për të mbyllur gojën e qytetarëve” dhe ka akuzuar qeverinë se po përdor këtë ligj si armë politike ndaj opozitës dhe zërit qytetar.

Format e sulmit: Nga linçimi tek shpifja
Këta zëra janë bërë objekt sulmesh të koordinuara në rrjetet sociale, portale anonime, madje edhe në disa media të mëdha që kontrollohen nga interesa afër qeverisë. Synimi është i qartë: Diskreditimi personal, etiketimi si agjentë politikë apo “anti-shtet”, në vend të përballjes me argumentet që paraqesin.
Po sulmohet Prokurori i Përgjithshëm Olsian Çela, nëpërmjet një prokurori të shkarkuar nga Vettingu, si pjesë e hartuesve të draftit të Kodit të Ri Penal.
Për sulmuesit një Prokuror i Përgjithshëm që hesht është më mirë se sa një Kod që kriminalizon qytetarët, “mbyt”, mediat dhe transparencën.
Sipas të njëjtit Kod të hartuar në Pogradec, sulmuesit tashmë do të ishin në burg.
Aktivistja Edlira Gjoni u etiketua nga disa portale si “lobiste e interesave të huaja” për shkak të kritikës së saj ndaj nenit për shpifjen.
Altin Goxhaj është akuzuar se “bën opozitë politike” dhe nuk përfaqëson interes publik.
Në rrjetet sociale dhe disa televizione, Erinda Ballanca u përmend me nënkuptime politike, ndonëse institucioni që ajo drejton është i pavarur dhe me mandat kushtetues për të mbrojtur të drejtat e qytetarëve.
Pse ndodh kjo?
Një analizë e ftohtë e situatës ngre dyshime serioze se kritikat ndaj Kodit Penal janë konsideruar kërcënim direkt për arkitekturën e re të kontrollit që po tenton të ngrejë qeveria. Ky kod, në thelb, nuk synon vetëm të luftojë lajmet e rreme apo ngjarjet e dhunshme që janë objektiva legjitime, por zgjeron ndjeshëm fushën e interpretimit penal për veprime që më parë mbroheshin nga e drejta për mendim dhe shprehje.
Kësisoj, zërat kritikë nuk po sulmohen për atë që thonë, por për atë që përfaqësojnë, një rrezik për të prishur konsensusin e rremë se ky kod është “reformues”, kur në fakt është shtypës dhe selektiv.

Cili është interesi pas kësaj fushate sulmi?
Qeverisë i duhet të neutralizojë çdo kritikë serioze që mund të prodhojë reagim popullor. Nëse qytetarët bindet se kundërshtarët e kodit janë “të pabesueshëm”, ata nuk do t’i dëgjojnë më.
Krijimi i precedentit për ndëshkimin e fjalës: Nëse heshtet tani fjala kritike për ligje, nesër do të jetë më e lehtë të ndëshkosh kritika për korrupsionin, për aferat publike, apo për keqqeverisjen.
Shantazhi ndaj grupeve të shoqërisë civile: Dërgimi i një sinjali të qartë: Kush kundërshton, do të bëhet objekt sulmesh dhe izolimi publik.
Që prej publikimit të Kodit Penal të ri, asnjë mbledhje publike, konsultim me aktorë të shoqërisë civile, organizatë të gazetarëve apo trupë akademike nuk është thirrur nga Kuvendi apo Këshilli i Ministrave.
Duke kriminalizuar mendimin ndryshe, përmes një Kodi Penal të formuluar në mënyrë të paqartë dhe të rrezikshme, qeveria nuk po modernizon drejtësinë penale, por po ngushton hapësirën demokratike në vend. Dhe çdo sulm ndaj atyre që e kritikojnë këtë proces është në fakt një sinjal i qartë se frika nga transparenca është e madhe, sepse ajo kërcënon themelet e pushtetit të ndërtuar mbi kontroll dhe heshtje.



