Marrëveshja e Ohrit, dokumenti që i dha fund konfliktit të armatosur të vitit 2001, nuk është thjesht një kapitull historik, por garancia e paqes dhe e bashkëjetesës. Ta shpërfillësh atë do të thotë të luash me zjarrin e ndarjes dhe të rrezikosh stabilitetin e rajonit.
Nga Marjana DODA
Një vit pas zgjedhjeve që ndryshuan ekuilibrin politik në Maqedoninë e Veriut, vendi duket sikur po ecën mbi një urë të hollë mbi ujëra të trazuar. A do të mundet Maqedonia e Veriut të mbetet një vend për të gjithë qytetarët, apo ndasitë etnike do të përcaktojnë fatin e saj?
Viti i parë qeverisës i Hristijan Mickoskit si kryeministër i Maqedonisë së Veriut ka sjellë jo pak pakënaqësi në mesin e qytetarëve shqiptarë, të cilët përbëjnë një pjesë thelbësore të këtij shteti. Personalisht, gjithmonë kam dënuar retorikën nacionaliste që është përdorur shpesh gjatë tri dekadave të fundit, atë që përkufizohet me sloganin “shqiptarët për shqiptarët dhe maqedonasit për maqedonasit”, sepse një qasje e tillë vetëm sa ushqen ndasi dhe tensione etnike. Në shkrimet e mia mbi zhvillimet politike në Maqedoninë e Veriut, kam theksuar dhe vazhdoj të theksoj nevojën për një lidership që përfaqëson të gjithë qytetarët e këtij vendi, pa dallim etnie, kombësie, ngjyre apo feje. Për fat të keq, as forcat politike maqedonase dhe as ato shqiptare nuk kanë arritur të kapërcejnë këto ndarje të thella.
Për mua, një arritje e vërtetë për këtë shtet dhe për çdo qytetar të tij do të jetë e mundur vetëm kur lidershipi i zgjedhur përfaqëson në mënyrë të barabartë shqiptarët dhe maqedonasit, pa asnjë prioritet etnik.
Rikthimi në pushtet i një partie me prirje nacionaliste si VMRO-DPMNE u prit me skepticizëm dhe me frikën e rikthimit të reminishencave të së kaluarës së saj politike. Megjithatë, nga këndvështrimi im, fitorja e kësaj force me një lidership të ri, si ai i Mickoskit, ishte dhe një mundësi për këtë force politike të korrigjonte vetveten dhe se kryeministri i ri do të dëshmonte se ishte në lartësinë e duhur për ta drejtuar Maqedoninë e Veriut drejt një të ardhmeje gjithëpërfshirëse. Një vit qeverisjeje është periudhë e shkurtër për një analizë të plotë, por e mjaftueshme për të parë drejtimin në të cilin po shkon vendi. Me keqardhje vërej se kryeministri Mickoski po e humb gradualisht momentumin e tij politik për të sjellë ndryshimin e shumëpritur, si në raport me lidershipin e vjetër maqedonas, ashtu edhe me atë shqiptar.
Për ta arritur këtë, kryeministri duhet të distancohet njëherë e mirë nga çdo retorikë nacionaliste që cenon bashkëjetesën ndëretnike. Për fat të keq, gjatë këtij viti janë shfaqur publikisht thirrje dhe tone nacionaliste antishqiptare, një zhvillim që nuk i shërben aspak as stabilitetit politik, as procesit të integrimit të Maqedonisë së Veriut në strukturat evropiane.
Kjo situatë, që në pamje të parë duket nën kontroll, duhet të stabilizohet në mënyrë urgjente, veçanërisht tani që zgjedhjet lokale të mbajtura më 19 tetor dhe 2 nëntor në Maqedoninë e Veriut konfirmuan dominimin politik të VMRO-DPMNE-së edhe në nivel vendor. Ky konsolidim i mëtejshëm i pushtetit të ri paraqet rrezikun e një mendjemadhësie politike dhe verbërie, ashtu edhe mundësinë për të treguar përgjegjësi të madhe në qeverisje.
Por, ndërsa vendi ndodhet në vitin e parë të qeverisjes së kësaj force politike dhe duket se po rrëshqet në humnerën e nacionalizmit, është koha për të bërë thirrje të qarta këtij lidershipi për vetëpërmbajtje dhe kujdes, tani që ka në dorë pushtetin qendror dhe atë vendor. Prandaj, në këtë shkrim i drejtohem drejtpërdrejt kryeministrit Mickoski, për të mbrojtur stabilitetin dhe bashkëjetesën etnike që të gjithë qytetarët e Maqedonisë së Veriut e meritojnë.
Kryeministër, Prej më shumë se një dekade ndjek nga afër zhvillimet politike dhe shoqërore në Maqedoninë e Veriut. Si gazetare shqiptare që beson në fqinjësinë e mirë, në bashkëjetesën dhe në të ardhmen europiane të rajonit, ndiej sot detyrimin moral dhe profesional të ngre zërin përpara një realiteti që po bëhet çdo ditë më i rrezikshëm: rikthimit të gjuhës së urrejtjes dhe nacionalizmit kundër shqiptarëve.
Maqedonia e Veriut ka kaluar periudha të vështira dhe sfiduese. Vitet 2015 dhe 2017 mbeten të ngulitura në kujtesën e rajonit si dy nga momentet më të errëta të historisë së re të këtij vendi, vite të tensioneve ndëretnike dhe krizave politike që lindën nga fryma nacionaliste. Atëherë, u dënuan të gjitha forcat që për interesa të ngushta politike sakrifikuan barazinë qytetare. Besuam se ato kohë nuk do të përsëriteshin më. Por sot, fatkeqësisht, ajo frymë po rikthehet.
Në vetëm dy muaj, Maqedonia e Veriut ka qenë dëshmitare e episodeve shqetesuese që ka nxjerrë në pah një problem të thellë, të cilin nuk mund ta injorojmë më. Kjo situatë, e përsëritur kështu kaq hapur dhe publikisht, tregon qartë se po krijohet një precedent shumë i rrezikshëm për të ardhmen e qytetarëve tuaj. Në mjedise publike janë dëgjuar sërish thirrje si “dhoma gazi, fjalë të papranueshme dhe me kuptim gjenocidal. Fakti që këto akte janë përsëritur këtë vit tregon se nuk bëhet fjalë për raste të sporadike, por për veprime të mirëorganizuara, të toleruara në heshtje, që synojnë të përçajnë qytetarët e Maqedonisë së Veriut. Ju rikujtoj ngjarjen e datës 2 gusht, kur thirrjet raciste dhe dehumanizuese si “Një shqiptar i mirë është një shqiptar i vdekur”, “Dhoma e gazit për shqiptarët” dhe “Pastrim i Maqedonisë” u dëgjuan në një ndeshje basketbolli mes Maqedonisë dhe Rumanisë, në praninë tuaj, z. Kryeministër. Në atë kohë, ju e dënuat atë gjuhë urrejtjeje dhe shfajësuat se nuk e kishit dëgjuar. Por tani, kur këto thirrje po përsëriten hapur, (sikundër ndodhen sërish pak ditë më parë po në një lojë futbolli) ju si Kryeministër i çdo qytetari të Maqedonisë së Veriut, keni përgjegjësinë të merrni një qëndrim të qartë dhe të ndërmerrni masa konkrete për të ndaluar këtë fenomen.
Nëse këto thirrje nuk ndalen, ato rrezikojnë të përhapen gjerësisht dhe të krijojnë një klimë përçarjeje, duke thelluar tensionet ndër-etnike në vend, dhe të dëmtojë të ardhmen e gjithë Maqedonisë, jo vetëm të shqiptarëve.
Kryeministër Mickoski, Ju jeni sot në krye të një qeverie që pretendon të drejtojë Maqedoninë e Veriut drejt një të ardhmeje europiane. Por Europa nuk është vetëm një drejtim gjeografik, është një standard politik e moral. Nuk mund të ketë rrugë drejt Brukselit me thirrje urrejtjeje nëpër tribuna. Nuk mund të ketë demokraci funksionale pa barazi qytetare. Dhe nuk mund të ketë stabilitet pa drejtësi e pa ndëshkim për ata që nxisin dhunë etnike.
Kryeministër, ju keni në dorë fatin e bashkëjetesës në Maqedoninë e Veriut. Si udhëheqës i të gjithë qytetarëve, pa dallim etnie apo bindjeje. Është koha për të vepruar me vendosmëri duke kërkuar ndëshkim penal për nxitësit e urrejtjes, duke zbatuar me rigorozitet ligjet kundër diskriminimit, duke zhvilluar fushata publike për ndërgjegjësim në shkolla, media dhe institucione sportive, dhe duke forcuar politikat e barazisë qytetare dhe respektit ndërmjet komuniteteve.
Nëse këto ngjarje kalojnë pa ndëshkim, do të krijohet një precedent i rrezikshëm që minon vetë themelet e shtetit. Marrëveshja e Ohrit, dokumenti që i dha fund konfliktit të armatosur të vitit 2001, nuk është thjesht një kapitull historik, por garancia e paqes dhe e bashkëjetesës. Ta shpërfillësh atë do të thotë të luash me zjarrin e ndarjes dhe të rrezikosh stabilitetin e rajonit. Dhe në kontekstin aktual gjeopolitik, ku tensionet dhe ndërhyrjet e jashtme në Ballkan janë të pranishme, çdo akt urrejtjeje dhe ndasie etnike është një kërcënim për të ardhmen e përbashkët të të gjithë qytetarëve të Maqedonisë së Veriut.
Ky është momenti për të garantuar që të gjithë qytetarët, pa dallim etnie, të ndihen të sigurt dhe të trajtohen me barazi. Përndryshe, një ndarje e thellë etnike do të shënonte fundin e projektit të përbashkët të Maqedonisë së Veriut dhe një humbje historike për të gjithë ju.
Kryeministër, Maqedonia e Veriut ka nevojë për një lidership që e sheh vendin përtej kufijve etnikë dhe politikë, si një shtëpi të përbashkët për të gjithë. Ky vend mund të bëhet një shembull i bashkëjetesës dhe europianizmit në Ballkan, një shoqëri që nuk trembet nga diversiteti, por e shikon atë si një pasuri të pazëvendësueshme. Ju keni mundësinë ta dëshmoni këtë përmes veprimeve konkrete. Mos e humbni këtë mundësi.
(Autorja është gazetare dhe analiste për çështjet rajonale, themeluese e medias gjeopolitike Argumentum.al)



