Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë miratoi ndryshime në kuadrin rregullator, që parashikojnë uljen e komisioneve për transfertat kombëtare dhe ndërkombëtare në Euro. Ndryshimet do të hyjnë në fuqi nga tetori, kur bankat shqiptare do të fillojnë përdorimin e Sistemit të Zonës Unike të Pagesave në Euro (SEPA).
Sipas Bankës së Shqipërisë, vitin e kaluar numri i transfertave ndërkombëtare arriti në pothuajse 11 milionë, me një vlerë totale prej 1.71 trilionë lekësh, duke shënuar rritje përkatësisht 40% dhe 28% krahasuar me vitin 2023. Transfertat hyrëse përbënin rreth 74% të totalit, ndërsa ato dalëse arritën në 2.91 milionë, me një rritje prej 43%.
Sipas rregullave të reja, komisionet për transfertat hyrëse SEPA nuk mund të kalojnë 3 euro për transaksion, ndërsa për transfertat kombëtare në Euro përmes e-banking, komisioni minimal do të jetë 2 euro dhe maksimumi 25 euro përmes kanaleve elektronike. Komisionet për transfertat në degë do të jenë deri në 50 euro.
Ndryshimet synojnë të reduktojnë kostot, të stimulojnë përdorimin e kanaleve elektronike dhe të përshpejtojnë kryerjen e transfertave, duke zëvendësuar rrjetin e bankave korrespondente që aktualisht sjell komisione të larta dhe afate disaditore.