back to top
20.5 C
Tirana
E mërkurë, 15 Tetor, 2025
spot_img
KreuAktualitetKompania fantazmë drejt milionave me "kanabis"?/ Përfshihet edhe komisionerja e Vettingut

Kompania fantazmë drejt milionave me “kanabis”?/ Përfshihet edhe komisionerja e Vettingut

Qeveria i jep monopolin e gjurmimit të kanabisit një kompanie 4-mujore, në bord, ish-anëtarja e Vettingut

Etleva Skonja

Me një vendim të miratuar në mbledhjen e fundit të Këshillit të Ministrave, qeveria shqiptare ka caktuar shoqërinë “ALBTrace Co” sh.a. si autoritetin e vetëm të autorizuar për realizimin e shenjimit dhe gjurmueshmërisë së bimës së kanabisit për qëllime mjekësore dhe industriale në territorin e Republikës së Shqipërisë.

Vendimi është marrë në zbatim të nenit 100 të Kushtetutës dhe pikës 5, të nenit 34 të ligjit nr. 61/2023, i cili rregullon kontrollin e plotë të kësaj industrie. Në dokumentin zyrtar theksohet:

“Autoriteti i autorizuar për realizimin e shenjimit dhe gjurmueshmërisë, sipas ligjit nr. 61/2023, është shoqëria ‘ALBTrace Co’ sh.a.”

Vendimi ngarkon me përgjegjësi për zbatimin e këtij procesi Ministrinë e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ministrinë e Financave, Agjencinë Kombëtare të Kontrollit të Cannabis-it si dhe vetë shoqërinë ALBTrace Co.

Kur u themelua ‘ALBTrace Co’ sh.a.”?

Një kompani e re, por me kapital të fortë dhe emra të lidhur me institucione kyçe.

Sipas dokumentacionit të Qendrës Kombëtare të Biznesit (QKB), ALBTrace Co është regjistruar si shoqëri aksionare më 12 mars 2025, vetëm katër muaj para marrjes së vendimit të qeverisë për t’i dhënë monopolin në këtë sektor të ndjeshëm dhe të ri për ekonominë shqiptare.

Kompania ka kapital të deklaruar prej 3.5 milionë euro dhe seli në Tiranë, në Rrugën Gryka e Kacanikut, pranë autostradës Tiranë-Durrës.

Struktura e pronësisë ndahet në 51% aksione të zotëruara nga “Shtypshkronja e Letrave me Vlerë”  një institucion publik me funksione shtetërore dhe 49% të mbajtura nga “O & S Security and Solutions”, një kompani e huaj me bazë në Emiratet e Bashkuara Arabe.

Objekti i aktivitetit të ALBTrace Co përfshin krijimin e një platforme kombëtare për identifikim, shenjim, gjurmim dhe siguri për produkte, përfshirë edhe kanabisin mjekësor, përmes kodeve unikë dhe teknologjive të avancuara.

Nga Vetingu te kanabisi

Në përbërje të Këshillit të Administrimit të kompanisë, që është themeluar më 6 mars 2025, ndodhet edhe Alma Faskaj, e cila ka shërbyer si anëtare e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit (KPK), institucioni kyç i procesit të Vettingut në drejtësi.

Alma Faskaj

Përveç saj, në bord janë të emëruar edhe Wasim Sah’Id Moh’D Al-Mraqtan, me përvojë ndërkombëtare në teknologji.

Wasim Sah’Id Moh’D Al‑Mraqtan është një figurë kyçe në industrinë ndërkombëtare të sigurisë së printimit dhe gjurmueshmërisë, veçanërisht në rajonin e Lindjes së Mesme. Sipas dokumenteve nga partneriteti midis Oumolat (subsidiari i Bankës Qendrore të UAE-së) dhe SICPA, ai është Vice President i SICPA për rajonin e Lindjes së Mesme, përgjegjës për bashkëpunimin me Oumolat në krijimin e O&S Security Solutions – iniciativë që siguron pulla sigurie dhe sisteme gjurmimi të teknologjive të avancuara

Duke marrë rolin në këtë shoqëri, Al‑Mraqtan ka marrë edhe pozicion në bordin e ALBTrace Co, që ka në pronësi kompaninë “O&S Security and Solutions LLP” (49 %), pjesë e struktures ndërkombëtare të sigurisë për pullat fiskale dhe gjurmueshmëri.

Pjesë e bordit janë edhe Brunilda Kërtusha, Olsi Çoku, ish-kryetari i Bordit të AMF  si dhe Besmir Beja.

Administratorja aktuale e kompanisë është Jona Suli, e cila është autorizuar të firmosë veprime të rëndësishme financiare dhe ligjore deri në vlerën 500,000 euro për transaksion të vetëm.

Joana Suli

Kujtojme, se Joana Suli mori drejtimin e Agjencisë Shtetërore të Programimit Strategjik dhe Koordinimit të Ndihmës (SASPAC) pas arrestimit të Ilir Beqajt. Në Dhjetor të vitit 2023 Suli u emërua në krye të agjencisë.

Megjithëse ALBTrace Co është një kompani e re në treg dhe nuk ka një historik publik të funksionimit në fushën e teknologjisë së gjurmimit apo të industrisë farmaceutike, ajo është autorizuar me një përgjegjësi të rëndësishme dhe delikate për të kontrolluar një sektor që pritet të sjellë miliona euro në të ardhura dhe që mbart rreziqe të larta të abuzimit dhe kriminalitetit nëse nuk monitorohet në mënyrë transparente.

Përfshirja e një ish-anëtareje të Vettingut në këtë strukturë vetëm sa e shton interesin publik dhe nevojën për transparencë të plotë mbi procesin e përzgjedhjes dhe mënyrën e zbatimit të kontratës së shenjimit dhe gjurmueshmërisë së kanabisit mjekësor në Shqipëri.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat