Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, reagoi pas deklaratave të Taulant Ballës, i cili tha se Partia Socialiste “nuk do të bëjë propozime për Avokatin e Popullit”.
Në një prononcim për mediat, Berisha bëri të ditur se PD ka disa kandidatë për këtë post, duke theksuar se një prej tyre është Besim Ndregjoni, i cili sipas tij duhet të votohet në Parlament.
Duke mbështetur hapur Ndregjonin dhe jo Adriana Kalajën, Berisha duket se ka ndryshuar pritshmëritë e saj, pavarësisht se Kalaja ishte tërhequr nga të gjitha funksionet në PD, përfshirë Kryetaren e Gjykatës së Partisë dhe anëtaren e Këshillit Kombëtar, për t’u futur në garën për Avokatin e Popullit.
“Ne kemi disa kandidatë që do t’i paraqesim. Nuk e dija këtë deklaratë të Ballës, por ai i ndryshon deklaratat nga mëngjesi në darkë. Por ne kemi kandidatët, i kemi të listuar, janë të njohur. Njëri prej tyre, Besim Ndregjoni, ka qenë në seancë. Në çdo lloj kodi të veprimtarisë parlamentare ai duhet të ishte votuar dhe duhet të votohet”, tha Berisha.



