Gjatë seancës plenare këtë të enjte, deputeti i Partisë Demokratike, Bledjon Nallbati, i kërkoi kryetarit të Kuvendit, Niko Peleshi, një debat publik lidhur me situatën në Devoll.
Nga foltorja, Nallbati sugjeroi që debati të mbahej në qendër të qytetit, me pjesëmarrjen e qytetarëve, për të parë se kush ka të drejtë mbi çështjet lokale.
“Ju kam bërë një ftesë edhe gjatë fushatës: të ulemi në sheshin e qytetit, unë, ju, ky tjetri këtu sipër dhe ai guaku i bashkisë, dhe të diskutojmë. Nuk patët guxim. Ju ftoj prapë, ulemi në qendër të qytetit të Bilishtit, ftoj të gjithë qytetarët e Devollit dhe e bëjmë aty debatin. Shohim kush ka të drejtë,” deklaroi Nallbati.
Kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, iu përgjigj duke këshilluar deputetin të ruajë tonin dhe të tregojë respekt ndaj kolegëve, ndërsa nënvizoi se çdo problem nuk duhet kërkuar te qytetarët, por te vetvetja.
“Duhet të qërosh fjalorin dhe duhet t’i drejtohesh kolegëve me respekt, pavarësisht mendimeve të kundërta. Nëse një koleg ose qytetarët nuk shoqërohen me ty në një shesh të qytetit ose fshatit, mos e shih problemin te ata, por shihu në pasqyrë dhe shihe problemin te vetja,” tha Peleshi.



