Kryeministri Edi Rama ka prezantuar sot një nismë të re të qeverisë në fushën e kontrollit të territorit, të quajtur Kryeinspektoriati Digjital i Territorit. Kjo strukturë e re, sipas Ramës, synon të sjellë një nivel tjetër të monitorimit dhe kontrollit të aktiviteteve në të gjithë vendin, duke përfshirë ndërtimet, taksat vendore, mbrojtjen e mjedisit dhe prodhimin bujqësor.
Në një publikim në rrjetet sociale, kreu i qeverisë e cilësoi këtë iniciativë si një “inovacion të qeverisjes”, që do të shërbejë për zbatimin e masave të reja ligjore në funksion të kontrollit të territorit.
“Ju prezantoj me një tjetër inovacion të qeverisjes: Kryeinspektoriatin Digjital të Territorit”, shkruan Rama, duke e shoqëruar njoftimin me një video informuese mbi punën paraprake të strukturës së re.
Sipas Kryeministrit, Kryeinspektoriati Digjital do të mbulojë një spektër të gjerë aktivitetesh që prekin territorin, duke filluar nga kontrolli i ndërtimeve pa leje, zbatimi i taksave dhe tarifave vendore, mbrojtja e pyjeve, lumenjve dhe mjedisit, deri te monitorimi i prodhimit bujqësor.
“Do të bëjë më të lehtë punën e strukturave përkatëse dhe shumë më të vështirë çdo formë abuzimi apo zullumi”, deklaroi Rama.
Nisma vjen në një kohë kur problematika të shumta janë evidentuar në administrimin e territorit, sidomos në ndërtimet pa leje, menaxhimin e mbetjeve, prerjet e paligjshme të pyjeve dhe degradimin e lumenjve. Rama nuk dha detaje specifike mbi buxhetin, strukturën organizative apo aktet ligjore që do të shoqërojnë funksionimin e Kryeinspektoriatit, por njoftoi se puna ka nisur me mbledhjen e të dhënave në terren.
Çfarë është Kryeinspektoriati Digjital?
Kjo strukturë synon të funksionojë si një platformë digjitale monitorimi dhe ndërhyrjeje, e cila do të grumbullojë të dhëna në kohë reale për shkeljet apo problematikat në territor. Ende nuk dihet nëse ai do të jetë një organ i pavarur apo pjesë e një ministrie ekzistuese, dhe as se kush do ta drejtojë këtë institucion të ri.
Megjithatë, nisma është pritur me kuriozitet, por edhe me skepticizëm nga një pjesë e opinionit publik, që kërkon më shumë transparencë për mënyrën se si do të funksionojë një strukturë e tillë dhe sa efikas do të jetë realisht kontrolli digjital në terren, përballë abuzimeve të vjetra dhe të reja.