Forcat operacionale të burgjeve kanë ushtruar të mërkurën kontrolle të befasishme në burgun e Durrësit, me fokus zbulimin e pajisjeve celulare të ndaluara.
Sipas burimeve, kontrollet janë shtrirë edhe në qelitë ku mbahen disa ish-zyrtarë të njohur, mes tyre Erion Veliaj, Ilir Beqaj dhe Aurel Zarka. Në këto ambiente nuk është konstatuar asnjë send i kundërligjshëm.
Gjatë operacionit, autoritetet kanë gjetur një aparat celular në një nga godinat e tjera të institucionit, jo në sektorin ku janë akomoduar të paraburgosurit “VIP”. Sipas të dhënave paraprake, telefoni është zbuluar i fshehur në ambientet e tualetit, ndërsa ende nuk dihet se kush e ka poseduar apo përdorur.
Kontrollet janë urdhëruar nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve dhe janë kryer në mënyrë të befasishme, si pjesë e masave për forcimin e sigurisë dhe parandalimin e përdorimit të mjeteve të ndaluara brenda institucioneve penitenciare. Nuk ka ende konfirmim nëse ky operacion është iniciuar nga SPAK.
Autoritetet pritet të vijojnë verifikimet për të identifikuar personin përgjegjës për posedimin e pajisjes së gjetur, ndërsa rastet e tilla mbeten nën monitorim të vazhdueshëm nga strukturat përkatëse.



