Ish-kryeministri Sali Berisha deklaroi se biznesmenët Ergys Agasi dhe Ermal Beqiri kanë kontrolluar për një periudhë të gjatë transaksionet financiare të shqiptarëve. Sipas Berishës, Agasi është arratisur prej tre javësh, ndërsa Beqiri ndodhet aktualisht në Dubai, ku janë bashkë me të.
Berisha theksoi se motra e Ergys Agasit, e cila është drejtoresha juridike e AKSHI-t, ka pasur rol në rregullimin e tenderave sipas interesave të familjes Rama, duke mos lejuar diskutim mbi vendimet.
Ai shtoi se Ergys Agasi dhe Ermal Beqiri kishin akses në të gjitha bazat e të dhënave bankare dhe transferta në Shqipëri, duke kontrolluar sipas tij çdo transaksion. Përfitimet e tyre, sipas Berishës, përpunoheshin përmes një personi të lidhur me Çopjat, i cili vepronte si “lavatriçja” e tyre.
Deklaratat e ish-kryeministrit vijnë në kuadër të denoncimeve të tij për manipulim tenderash, kontrolle mbi transaksionet dhe aktivitete të dyshuara kriminale brenda AKSHI-t dhe enturazhit të afërt me Kryeministrin Rama.



