Agjencia e Mbikëqyrjes Policore, Rajoni Tiranë, ka ndaluar me iniciativë inspektorin me iniciale K.K., i cili punonte si Ndihmës Specialist / Kontrollor në Pikën e Kalimit Kufitar Rinas, i dyshuar për kryerjen e veprave penale “Shpërdorim i detyrës” dhe “Korrupsion pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”.
Hetimi nisi pas publikimit në media të pamjeve audiovizive, ku një shtetas ende i paidentifikuar i ofronte 10,000 lekë të reja K.K.-së për të udhëtuar pa probleme nëpërmjet aeroportit. Më 7 tetor 2025, shtetasi u paraqit për udhëtim dhe dorëzoi dokumentacionin tek punonjësi tjetër, E.L., gjithashtu Ndihmës Specialist / Kontrollor, i cili kryente veprimet e regjistrimit të udhëtimit.
Materialet hetimore ndaj E.L. janë referuar në gjendje të lirë si i dyshuar për veprën penale “Shpërdorim i detyrës”, ndërsa ndaj K.K. është vendosur masa ndalimi me iniciativë, në kuadër të procedimit penal për korrupsion dhe shpërdorim detyre.
Rasti është aktualisht nën hetim nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore dhe organet e drejtësisë, ndërsa zhvillimet e mëtejshme priten pas përfundimit të veprimeve hetimore.