Deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë dështuar edhe për të 40-tën herë me radhë që të konstituojnë përbërjen parlamentare të dalë nga zgjedhjet e 9 shkurtit.
Më 1 korrik u shënua dhe dështimi i tretë që prej një aktgjykimi të Gjykatës Kushtetuese, deputetët nuk arritën të bëjnë progres në këtë proces, ndërsa afati ligjor për konstituim skadon më 26 korrik.
Partitë kryesore opozitare, përfshirë Partinë Demokratike të Kosovës, Lidhjen Demokratike të Kosovës, Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës, Nismën Socialdemokrate dhe Listën Serbe, prej 1 maji refuzojnë të propozojnë anëtarë për një komision që do të mbikëqyrte votimin e fshehtë për kryeparlamentarin e ri. Ata argumentojnë se ndryshimi i mënyrës së votimit nga i hapur në fshehtë është jokushtetues dhe referohen në një aktgjykim të Gjykatës Kushtetuese.
kuvendiNga ana tjetër, Lëvizja Vetëvendosje (LVV), që është edhe partia fituese e zgjedhjeve, mbështet votimin e fshehtë. Kreu i LVV-së, Albin Kurti, ka ftuar për takime liderët e partive politike, por pa arritur marrëveshje për daljen nga ngërçi. Kurti ka ofruar kompromise, por opozita i ka cilësuar takimet si “farsë”, duke akuzuar Kurtin për mungesë fleksibiliteti.
Për të kërkuar zgjidhje, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, më 30 qershor ka paralajmëruar konsultime të reja me krerët e partive dhe ka bërë thirrje për respektimin e aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese. Nëse do të jetë e nevojshme, Osmani do t’i drejtohet sërish Gjykatës për sqarime shtesë, sipas këshilltarit të saj për media, Bekim Kupina.
Lëvizja Vetëvendosje ka të drejtën ekskluzive të propozojë kandidatin për kryetar Kuvendi dhe deri tani ka propozuar Albulena Haxhiun, e cila është kundërshtuar nga PDK dhe AAK si një figurë përçarëse. Haxhiu ka paralajmëruar tërheqjen nga kandidatura nëse nuk siguron 61 vota në votimin e fshehtë.
Për konstituimin e Kuvendit është e nevojshme zgjedhja e kryetarit dhe pesë nënkryetarëve, dhe vetëm pas kësaj mund të fillojnë afatet për formimin e qeverisë së re të Kosovës.