Kryeministri i Kosovës dhe kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka propozuar të dielën profesorin Murat Jashari si figurën më të përshtatshme për postin e presidentit të vendit, duke argumentuar se ai do të siguronte mbështetje gjithëpërfshirëse politike dhe qytetare.
Kurti theksoi se, në rast se partitë politike nuk arrijnë një marrëveshje për një emër konsensual, zgjidhja mbetet që secila forcë politike të paraqesë kandidatin e vet në Kuvend. Ai e cilësoi Murat Jasharin si një figurë që do të sillte nder për republikën, stabilitet për institucionin e presidencës dhe siguri për vendin, sidomos në një kohë sfidash të shumta rajonale dhe globale.
“Bindja ime ka qenë dhe vazhdon të mbetet se një figurë, profesor e personalitet sikurse Murat Jashari, do të gëzonte mbështetje gjithëpartiake, do të ishte nder për republikën, stabilitet për institucionin dhe siguri për kombin,” tha Kurti gjatë mbledhjes së Këshillit të Përgjithshëm të LVV-së.
Kryeministri i referohet sfidave të shumta që përballon Kosova, duke përmendur rrethanat gjeopolitike si lufta në Ukrainë, konfliktin SHBA-Iran, tensionet në Lindjen e Afërt dhe të Mesme, si dhe kërcënimet e vazhdueshme nga Serbia, përfshirë sulmin terrorist në Banjskë, incidentin kinetik në kanalin e Ibër-Lepencit dhe kërcënimet e tjera të përditshme.
Megjithatë, familja Jashari ka reaguar duke bërë të ditur se nuk ka ambicie për të marrë postin e presidentit. Murat Jashari, djali i Rifat Jasharit, vëllait të heroit kombëtar Adem Jashari, dhe pjesëtarë të tjerë të familjes, kanë deklaruar se një përgjegjësi e tillë mund të merrej në konsideratë vetëm në rrethana jashtëzakonisht emergjente, siç do të ishte një gjendje lufte civile ose krizë e madhe kombëtare.



