Trupi gjykues i Kolegjit të Posaçëm të Apelimit konfirmon me unanimitet shkarkimin nga detyra të prokurores së Kurbinit Ajola Prençi, duke lënë në fuqi vendimin nr. 470, datë 01.11.2021 të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit (KPK).
Gjatë procesit të rivlerësimit të zhvilluar në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit në vitin 2021, u konstatua një raport negativ i DSIK-së për figurën, bazuar në informacione për bashkëshortin ish-prokuror të Ajola Prençit, të dënuar për korrupsion, si dhe një balancë negative në blerjen e një apartamenti.
Ajola Prençi përfundoi studimet në Shkollën e Magjistraturës në vitin 2004 dhe për një dekadë e ushtroi funksionin në Prokurorinë e Shkodrës. Në vitin 2014, ajo u emërua në Prokurorinë e Matit, ndërsa prej vitit 2016 e ushtroi funksionin në Prokurorinë e Kurbinit.
“Trupi gjykues i Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, i përbërë nga Sokol Çomo kryesues, Ina Rama relatore, Albana Shtylla, Natasha Mulaj, Rezarta Schuetz anëtare, shpalli vendimin për çështjen nr. 81/2021, datë 20.12.2021, që i përket ankimit të subjektit të rivlerësimit Ajola Prençi kundër vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit nr. 470, datë 01.11.2021.
Në përfundim të gjykimit në dhomë këshillimi, trupi gjykues, bazuar në nenin 66, pika 1, shkronja “a” e ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, në mënyrë unanime, vendosi:
– Lënien në fuqi të vendimit nr. 470, datë 01.11.2021 të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, që i përket subjektit të rivlerësimit Ajola Prençi.
– Ky vendim është përfundimtar dhe ka efekt të menjëhershëm.
U shpall në Tiranë, më datë 13.11.2024.” theksohet në njoftimi e KPA-së.