Kreu i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Ilirian Celibashi, ka deklaruar se gjatë kësaj periudhe zgjedhore, platformat e KQZ janë gjendur nën sulme kibernetike.
Ai zbuloi se sulmet kanë ardhur nga jashtë vendit, dhe një pjesë e tyre kanë qenë të organizuara dhe të sofistikuara.
“Mund të bëj publike sot së platformat e KQZ, duke filluar nga jo e regjistrimit të votuesve nga jashtë, janë gjendur nën sulme kibernetike.
Kemi komunikimin me institucione përkatëse, si ato të sigurisë kibernetike dhe sot që lidhen me ndjekjen ligjore të këtyre rasteve sa herë që janë evidentuar.
Nga informacionet që kemi, një pjesë e këtyre sulmeve nuk kanë qenë sulme diletantësh, por kanë qenë të organizuara dhe të sofistikuara dhe jo rastësore.
Kanë qenë të gjitha nga jashtë, të krahasueshme me sulmet që kanë pasur vende të tjera për situata të ngjashme, si Franca, Estonia”, tha Celibashi.
Celibashi deklaroi se i gjithë procesi ka qenë i monitoruar nga përfaqësuesit e partive politike dhe nga kamerat 24/7.
Kreu i KQZ theksoi se nuk ka pasur fletë të shtuara dhe as vota të trafikuara.
“Është me rëndësi ta theksoj, të gjitha partitë politike e dinë këtë, që procesi i përgatitjes së dokumentacionit zgjedhor në Parkun Olimpik, dorëzimi i dokumentacionit tek operatori i shërbimit postar, është një proces që garanton 100% integritetin e procesit të votimit nga jashtë.
Kjo vlen edhe për rastin e kthimit të dokumentacionit zgjedhor nga DHL tek KQZ. Gjithë ky segment është zhvilluar nën mbikëqyrjen e përfaqësuesve të partive politike, të organizatave të shoqërisë civile. Ka qenë 24.7 i monitoruar nga kamerat.
Çdo gjë ka shkuar siç duhet të shkonte, nuk ka fletë votimi të shtuara, as vota të trafikuara. Ngelet të vlerësojmë pretendimet që lidhen me sa është respektuar integriteti i votës së shqiptarëve në procesin e marrjes së fletëve të votimit dhe të kthimit të tyre nëpërmjet shërbimit postar”, tha Celibashi.