Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) i ka propozuar Kolegjit Zgjedhor afatet e reja procedurale për zhvillimin e zgjedhjeve të pjesshme vendore në pesë bashki të vendit: Berat, Vlorë, Mat, Cërrik dhe Tepelenë.
Në kërkesën drejtuar Kolegjit Zgjedhor, KQZ-ja ka parashtruar një kalendar të detajuar të procesit zgjedhor, që nga regjistrimi i partive politike e deri te akreditimi i vëzhguesve dhe publikimi i rezultateve.
Sipas propozimit, partitë politike duhet të paraqesin kërkesën për regjistrim si subjekte zgjedhore në KQZ jo më vonë se data 16 tetor 2025. Po në të njëjtën datë, komitetet nismëtare që synojnë të kandidojnë në zgjedhje duhet të regjistrohen në KQZ për bashkitë Vlorë e Berat, si dhe në KZAZ-të përkatëse për Tepelenë, Cërrik dhe Mat.
Ndërkohë, koalicionet zgjedhore duhet të depozitojnë kërkesën për regjistrim brenda datës 21 tetor 2025, ndërsa dokumentet e kandidimit të dorëzohen në KQZ dhe KZAZ-të përkatëse jo më vonë se data 24 tetor 2025.
Sipas vendimit, fushata zgjedhore do të nisë më 1 nëntor 2025, dhe institucionet publike janë të detyruara të raportojnë çdo veprimtari me karakter publik që zhvillohet në këto bashki gjatë periudhës 25 tetor – 9 nëntor 2025. Gjatë kësaj kohe, Autoriteti i Mediave Audiovizive (AMA) do të monitorojë transmetimet e mediave për të garantuar barazinë e subjekteve zgjedhore.
Në dokumentin e plotë përcaktohen edhe afatet për:
përgatitjen e listave të zgjedhësve, që duhet të përfundojnë deri më 6 tetor 2025;
caktimin e vendeve të numërimit të votave dhe hapësirave për propagandë, deri më 16 tetor 2025;
si dhe për akreditimin e vëzhguesve, që duhet të përfundojë më së voni më 7 nëntor 2025.
Gjithashtu, KQZ rikujton se publikimi i sondazheve zgjedhore do të ndalohet gjatë tre ditëve të fundit para votimit, përfshirë edhe ditën e zgjedhjeve, deri në përfundimin e procesit të votimit.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë pas miratimit dhe do të publikohet në faqen zyrtare të KQZ-së. Kundër tij mund të bëhet ankim në Kolegjin Zgjedhor pranë Gjykatës Administrative të Apelit Tiranë brenda pesë ditëve nga shpallja.