Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka publikuar listën paraprake të zgjedhësve nga jashtë, duke bërë të mundur që shqiptarët e diasporës të kontrollojnë praninë e emrave të tyre.
KQZ ka theksuar se vetëm ata zgjedhës që kanë dorëzuar kërkesën për t’u regjistruar përmes sistemit PER janë përfshirë në këtë listë. Zgjedhësit nga jashtë kanë mundësinë të kërkojnë çregjistrimin nga lista deri më 10 mars 2025, nëse ata planifikojnë të jenë në Shqipëri gjatë zgjedhjeve të 11 majit 2025
Po ashtu, ata që kanë ndryshuar vendqëndrim pas miratimit të kërkesës mund të ribëjnë kërkesën për regjistrim, duke saktësuar adresën e re dhe duke dorëzuar dokumentin provues të saj.
Për të kontrolluar emrin e tyre në listë, zgjedhësit nga jashtë mund të ndjekin procedurën e mëposhtme: ata duhet të shkruajnë NID-në e tyre, pasuar nga emri, mbiemri, atësia dhe data e lindjes në ‘dritaren’ e ofruar nga KQZ.
Kujtojmë se për herë të parë, më 11 maj 2025, diaspora shqiptare do të mund të marrë pjesë në zgjedhjet parlamentare të Shqipërisë. Aktualisht, mbi 294 mijë shqiptarë me banim jashtë janë të regjistruar për të votuar, ndërkohë që më shumë se 48 mijë kërkesa janë refuzuar për arsye të mangësive të ndryshme.

Si mund ta gjeni emrin?
Për të kontrolluar nëse emri juaj është në listë, shkruani NID-në dhe më pas plotësoni të dhënat e kërkuara si emri, mbiemri, atësia dhe data e lindjes.