Prokurori i Përgjithshëm Olsian Çela ka përsëritur dhe thelluar sot kundërshtimin e tij ndaj nismës për hartimin e një Kodi të ri Penal, duke e cilësuar atë si një projekt të nxituar, të pa konsultuar dhe potencialisht të dëmshëm për funksionimin e sistemit të drejtësisë në vend.
Gjatë ceremonisë së diplomimit të 26 prokurorëve të rinj, Çela deklaroi se një ndryshim kaq rrënjësor në legjislacion nuk mund të bëhet pa një platformë të qartë dhe një proces të mirëfilltë diskutimi publik e profesional. Ai theksoi se, nëse qëllimi është përmirësimi i Kodit aktual për të përmbushur standardet e Bashkimit Europian, atëherë ndryshimet duhet të jenë të mirëorientuara dhe të mbështetura në dialog.
“Rrugëtimi drejt integrimit mund të kërkojë përmirësime, por më së pari duhet të kishim vendosur binarët ku do të ecte drafti. Kjo do të mundësonte një debat të shëndetshëm dhe efektiv,” u shpreh Çela.
Këto deklarata vijnë një ditë pas reagimit të tij zyrtar ndaj publikimit të draftit të ri të Kodit Penal, ku ai paralajmëroi pasoja serioze për ngarkesën e sistemit të drejtësisë. Çela vuri në dukje se aplikimi i një kodi të ri do të detyronte rivlerësimin e mijëra çështjeve në hetim apo gjykim, duke shkaktuar bllokime dhe zvarritje në proces.
“Drafti është kompleks dhe vetëm njohja e tij do të kërkonte kohë. Çdo çështje do të duhet të shihej me syzet e kodit të ri, çka është e papërballueshme në këtë moment për sistemin,” paralajmëroi ai.
Sipas Prokurorit të Përgjithshëm, përtej aspektit procedural, drafti i ri krijon rrezik të lartë për interpretime të ndryshme në çështje të ngjashme, konfuzion në praktikën gjyqësore dhe kriminalizim të panevojshëm të individëve. Ai kritikoi faktin që shumë veprime, të cilat aktualisht nuk konsiderohen vepra penale, sipas draftit përfshihen në fushën e dënimeve me burg, duke e zgjeruar në mënyrë disproporcionale ndërhyrjen penale në jetën e qytetarëve.
Reagimi i Çelës përforcon qëndrimin e një pjese të sistemit të drejtësisë që kërkon kujdes maksimal dhe përfshirje të gjerë në procesin e reformimit të ligjeve penale. Deklaratat e tij përbëjnë një sinjal të qartë se miratimi i këtij kodi, në formën aktuale, mund të përballet me rezistencë të fortë institucionale.
“Kodi Penal i ri, rrezik për drejtësinë”/ Alarmon kryeprokurori Çela