Deputetja demokrate Jorida Tabaku ka komentuar të dhënat e Treguesit të Ndjesisë Ekonomike të publikuar nga Banka e Shqipërisë.
Sipas Tabakut, këto të dhëna tregojnë se bizneset shqiptare nuk kanë besim në ekonominë e vendit.
Me anë të një postimi në rrjete sociale, Tabaku shkruan se fuqia blerëse e shqiptarëve, që kanë pagën më të ulët në rajon, është sa 34% e mesatares së Bashkimit Europian, duke u renditur të fundit në rajon
“Pak orë më parë, Banka e Shqipërisë publikoi të dhënat e Treguesit të Ndjesisë Ekonomike, dhe bizneset shqiptare nuk kanë besim në ekonominë e vendit. Këtu bëhet fjalë veçanërisht për sektorin e industrisë, i cili ka shënuar një rënie në besimin ndaj ekonomisë. Ky “prosperitet i madh ekonomik” dhe “arritje e madhe e buxhetit” nuk ndihet nga askush. Nuk e ndiejnë as bizneset dhe as qytetarët.
Fuqia blerëse e shqiptarëve, që kanë pagën më të ulët në rajon, është sa 34% e mesatares së Bashkimit Europian, duke u renditur të fundit në rajon. Shqiptarët mbeten ndër më të varfërit dhe më të pambrojturit. Kriza ekonomike ka përfshirë shumë sektorë. U diskutua për bujqësinë si një sektor nënfinancuar, por gjithashtu një nga sektorët më të goditur nga zhvlerësimi i euros është sektori i fasonerisë.
Sipas të dhënave të fundit të INSTAT, eksportet e industrisë fason kanë pësuar një rënie drastike prej 23% në vitin e fundit, duke zbritur në 55.41 miliardë lekë nga 68.1 miliardë lekë një vit më parë. Vetëm në dy muajt e parë të vitit 2024, janë shkurtuar 3,000 vende pune në fabrikat e fasonerisë, nga Shkodra në Laç e deri në Gramsh dhe Bilisht. Ky është një sinjal alarmi për një sektor që jo vetëm mban me bukë mbi 70 mijë familje shqiptare, por është edhe motor i eksporteve tona”, shkruan Tabaku.