back to top
18.5 C
Tirana
E mërkurë, 2 Korrik, 2025
spot_img
KreuAktualitetEkonomiaKriza në sektorin prodhues: Bujqësia dhe industria në rënie të thellë në...

Kriza në sektorin prodhues: Bujqësia dhe industria në rënie të thellë në Shqipëri

Dy nga sektorët më të rëndësishëm prodhues në vend, bujqësia dhe industria përpunuese, po përballen me një krizë të thelluar që rrezikon zhvillimin afatgjatë të ekonomisë shqiptare.

Të dhënat më të fundit nga INSTAT për tremujorin e parë 2025 tregojnë se:

Bujqësia ka shënuar rënie me 2.76% në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Industria përpunuese ka rënë me 7.46%, tkurrja më e madhe që nga tremujori i parë i vitit 2020, kur ekonomia u godit nga pandemia.

Kjo është hera e pestë radhazi që bujqësia shënon rënie, ndërsa industria ndodhet në vitin e tretë të performancës negative.

Bujqësia drejt kolapsit

Bujqësia, pyjet dhe peshkimi përbëjnë rreth 16% të PBB-së dhe punësojnë mbi 32% të fuqisë punëtore, përqindje që shkon edhe më lart në zonat rurale. Por sektori po tkurret ndjeshëm për shkak të shuarjes së fermave familjare, rënies së numrit të kafshëve për qumësht dhe mish si dhe emigrimit dhe plakjes së popullsisë në fshat.

Këto zhvillime po thellojnë varësinë nga importet e ushqimeve, duke ndikuar negativisht në bilancin tregtar dhe në çmimet e konsumit.

Në vitin 2024, sipas Eurostat, çmimet e ushqimeve në Shqipëri ishin mbi mesataren e BE-së një precedent shqetësues.

Industria në rënie të lirë 

Industria përpunuese, që përbën rreth 10% të PBB-së dhe mbi 13% të punësimit total, është prekur rëndë nga faktorë të brendshëm dhe të jashtëm.
Në vitin e tretë të rënies, ky sektor po përballet me kostot në rritje nga paga minimale, rënien e euros që dëmton eksportet si dhe tkurrjen e kërkesës nga tregjet ndërkombëtare.

Ekspertët paralajmërojnë se rënia e industrisë ka efekte domino mbi ndërtimin, logjistikën, energjinë dhe punësimin, duke e bërë rimëkëmbjen më të vështirë.

Sipas analizave, rritja ekonomike pa mbështetje në prodhim real është e paqëndrueshme dhe e rrezikuar. Përqendrimi te sektorë jo-produktivë si ndërtimi apo konsumi i stimuluar nga remitancat nuk garanton një ekonomi të fortë dhe rezistente ndaj krizave.

Rënia e bujqësisë dhe industrisë është një sinjal alarmi që kërkon ndërhyrje të menjëhershme politike dhe mbështetje strategjike për të ringritur sektorët prodhues dhe për të garantuar një zhvillim të qëndrueshëm dhe afatgjatë.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat