Jo vetëm procesi i vetingut, por edhe daljet në pension apo dorëheqjet vullnetare kanë krijuar një boshllëk të madh në sistemin e prokurorisë në vend. Sipas raportit vjetor të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, dorëzuar së fundmi në Kuvendin e Shqipërisë, gjatë vitit 2024, nga 341 prokurorë të parashikuar në organikë, vetëm 220 kanë qenë realisht në detyrë.
Plot 121 vende, ose rreth 35% e trupës së prokurorëve, kanë mbetur vakante, çka përbën një ndër situatat më shqetësuese për funksionimin normal të drejtësisë penale në vend.
Për të garantuar vazhdimësinë e punës në prokurori, KLP ka aplikuar masa të përkohshme, ndër të cilat spikat caktimi i 36 prokurorëve në detyra të përkohshme në zyrat më të prekura nga mungesat. Në ndihmë të sistemit kanë ardhur edhe 23 të diplomuar të rinj të Shkollës së Magjistraturës, të cilët janë emëruar në detyrë gjatë vitit 2024.
Megjithatë, ndërkohë që organika ishte e paplotësuar me një të tretën e trupës, 19 prokurorë të tjerë janë komanduar jashtë sistemit, si ndihmës-magjistratë në Prokurorinë e Përgjithshme apo si anëtarë të vetë KLP-së.
Në raportin e saj, Këshilli i Lartë i Prokurorisë pretendon se pavarësisht mungesave të mëdha, ka garantuar funksionalitetin e çdo prokurorie në vend, duke theksuar nevojën për masa më të qëndrueshme për të përballuar pasojat e reformës në drejtësi dhe hartës së re gjyqësore.
Për vitin 2025, në Shkollën e Magjistraturës pritet të diplomohen 26 magjistratë të rinj me profil prokuror, një numër që, sipas ekspertëve, mbetet i pamjaftueshëm për të mbuluar nevojat reale të sistemit.