back to top
17.5 C
Tirana
E martë, 26 Gusht, 2025
spot_img
KreuAktualitetKryebashkiaku i Vlorës në shënjestër të Ramës/ "Toleron zaptimet dhe ndërtimet pa...

Kryebashkiaku i Vlorës në shënjestër të Ramës/ “Toleron zaptimet dhe ndërtimet pa leje”

Kryeministri Edi Rama ka ngritur shqetësime serioze për funksionimin e pushtetit vendor gjatë sezonit turistik, duke i drejtuar një kritikë të drejtpërdrejtë Bashkisë së Vlorës për tolerimin e zaptimeve dhe ndërtimeve pa leje.

Në një takim me kryetarët e bashkive të vendit në Durrës, Rama theksoi se strukturat vendore në disa zona turistike kanë treguar paaftësi në përballimin e fluksit turistik dhe në mbrojtjen e hapësirave publike.

“Një nga gjërat që vihet re është edhe nxitja e brendshme e biznesit për të kapërcyer kufijtë e paravendosur të veprimtarisë së vet, në formën e zaptimit të territorit apo ndërtimeve pa leje, në territore ku vëmendja është më e vogël – apo si në Vlorë, ku kryetari i bashkisë dhe struktura atje i ka sytë gjysmë të hapur dhe gjysmë të mbyllur,” tha Rama.

Ai shtoi se transformimi i vendit në një destinacion të rëndësishëm turistik ka krijuar një ngarkesë të paprecedentë për bashkitë, të cilat shpesh nuk janë të përgatitura për t’u përballur me këtë presion.

“Dobësia e pushtetit vendor ka dalë në pah si rezultat i faktit që vendi nuk mban më vetëm banorët e vet, por edhe një ngarkesë ekstra turistësh dhe vizitorësh që vjen në rritje,” deklaroi Rama.

Në fjalën e tij, Kryeministri kujtoi gjithashtu rezultatin elektoral të Partisë Socialiste me 83 mandate në zgjedhjet e fundit, duke e cilësuar si “një kredi besimi dhe një test karakteri” për qeverisjen.

“Kemi marrë një barrë më të madhe se më parë. Është një kredi e madhe besimi dhe një test i jashtëzakonshëm i karakterit tonë,” tha ai.

Deklaratat e Ramës vijnë në një kohë kur qeveria synon të forcojë kontrollin mbi territorin dhe të adresojë problematikat e menaxhimit urban dhe turistik, veçanërisht në zonat me përqendrim të lartë vizitorësh si Vlora, Durrësi dhe Shkodra.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat