back to top
2.5 C
Tirana
E hënë, 22 Dhjetor, 2025
spot_img
KreuDrejtësiaKryemadhi paralajmëron surpriza në gjyq/ "Do të dalin emra shumë interesantë"

Kryemadhi paralajmëron surpriza në gjyq/ “Do të dalin emra shumë interesantë”

Deputetja e Partisë së Lirisë, Monika Kryemadhi, u paraqit këtë të hënë në Prokurorinë e Posaçme (SPAK) për të zbatuar masën e sigurisë “detyrim paraqitje”, të vendosur ndaj saj në kuadër të hetimeve për dosjen CEZ–DIA dhe lobimin e LSI-së në SHBA.

Pas daljes nga ambientet e SPAK, Kryemadhi dha një deklaratë për mediat, ku shprehu shqetësim për mënyrën si po zhvillohen hetimet dhe akuzoi prokurorët për tejkalim të kompetencave.

“Gjatë gjithë kësaj kohe kam marrë të gjithë fashikujt dhe pesë CD me dokumentacion. Letërporositë që vijnë nga SHBA, Anglia, Qipro apo Çekia tregojnë elementë të qartë të shpërdorimit të detyrës nga prokuroria. Ka një analizë financiare të bërë nga SPAK nga një person pa licencë, ndërsa analiza jonë është bërë nga një ekspert i certifikuar nga Ministria e Drejtësisë”, tha ajo.

Kryemadhi tha se akuzat ndaj saj dhe familjarëve lidhen me një kredi të marrë në vitin 2010, e cila, sipas saj, është shlyer brenda afateve të ligjshme. Ajo akuzoi gjithashtu prokurorinë se ka përfshirë në dosje të dhëna dhe llogari bankare të bizneseve dhe individëve që, sipas saj, nuk lidhen me hetimin.

Deputetja paralajmëroi se në procesin gjyqësor pritet të dalin “emra shumë interesantë” nga dëshmitarët e thirrur.
“Shoh shpërdorim detyre, tejkalim kompetencash dhe intimidim dëshmitarësh. Megjithatë, kur të fillojë gjyqi, do të shihen të gjitha, përfshirë edhe dëshmitë e disa personave me emra shumë interesantë”, theksoi ajo.

Në fund të deklaratës, Kryemadhi përdori ironi për marrëdhënien me prokurorët e SPAK:
“Unë nuk vij më… më thanë: ‘Mos hajde më, se kush të duron ty!’”, tha ajo me batutë.

Kujtojmë se ndaj Monika Kryemadhit është vendosur masa e sigurisë “detyrim paraqitje”, ndërsa ajo po hetohet për pastrim parash, korrupsion dhe mosdeklarim të pasurisë. Për të njëjtën dosje, në qeli ndodhet ish-bashkëshorti i saj, Ilir Meta, i cili po hetohet nën masën “arrest me burg”.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat