Ish-kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi, ka reaguar pas daljes nga seanca paraprake në çështjen penale që e përfshin atë dhe ish-Presidentin Ilir Meta.
Në një prononcim për mediat, Kryemadhi deklaroi se prokurori ka përfunduar leximin e relacionit, të cilin ajo e cilësoi si të mbushur me përsëritje të së njëjtës përmbajtje, me qëllim rritjen artificiale të volumit të dosjes.
“Big Brother në versionin e SPAK-ut. Prokurori mbaroi relacionin dhe, për të thënë të drejtën, ishte përsëritje e të njëjtave gjëra disa herë, vetëm për të shtuar numrin e faqeve,” u shpreh Kryemadhi.
Ajo bëri të ditur se vetëm në fund të seancës i është dorëzuar lista e provave, e cila, sipas saj, përbëhet nga mbi 40 faqe materiale që nuk përmbajnë prova ligjore në kuptimin klasik të procedurës penale.
“Në fund na u dorëzua lista e provave, rreth 40 e ca faqe, ku ka intervista, shkrime dhe gazeta. Për herë të parë, edhe në kohën e diktaturës këto nuk quheshin prova, por thirrej intervistuesi dhe merrej dëshmia në formën e provës,” deklaroi ajo.
Procesi paraprak ndaj Kryemadhit dhe Metës vijon në Gjykatën e Posaçme, ndërsa pritet që në seancat në vijim të vendoset nëse çështja do të kalojë për gjykim.



