Në dosjen hetimore që lidhet me zv.kryeministren Belinda Balluku, janë zbardhur mesazhe që sipas SPAK implikojnë drejtpërdrejt kryeministrin Edi Rama në takime që kanë ndikuar në fitimin e një tenderi nga kompania e Ramë Gecit.
Sipas dokumenteve që SPAK ka dorëzuar në Kuvend për autorizimin e arrestimit të zv.kryeministres, më 24 gusht 2021, Balluku i ka dërguar ish-vartësit të saj Evis Berberi një mesazh në “Whatsapp”, ku e informonte se:
“KM më kërkoi të takoj Ram Gecin”.
Në vazhdim, Berberi i dërgon një mesazh në aplikacionin “Signal Private Messenger”, duke raportuar se kishte takuar Ramë Gecin më parë në kantier. Komunikimi vijon me shkëmbimin e informacioneve mbi vlerën e prokurimit, ku Balluku pyet për shifrën e procedurës dhe Berberi përgjigjet:
“15 ml, rreth diku te 10 ml euro pa TVSH, 15 miliardë lekë”.

Hetimi i SPAK ka lidhur këto biseda me procedurën e prokurimit të Autoritetit Rrugor Shqiptar, të nisur më 15 shtator 2021, për Ndërtimin e rrugës Porto Romano Durrës, Loti 3 (vazhdimi). Në Buletinin nr. 167 të Agjencisë së Prokurimit Publik, rezulton se oferta fituese i është dhënë shoqërisë “Geci” sh.p.k., kompania e drejtuar nga Ram Geci, i cili është gjithashtu ortak i vetëm dhe administrator.
SPAK thekson se komunikimet e zbardhura nga aparati celular i Berberit dhe bisedat në aplikacionet private përkojnë me vendimet e mëvonshme të Autoritetit Rrugor Shqiptar dhe kontratën e lidhur me shoqërinë Geci sh.p.k..
Hetimi vijon për të sqaruar të gjitha rrethanat dhe përgjegjësitë lidhur me këtë procedurë prokurimi./VNA



