Kryeministri Edi Rama gjatë fjalës së tij në eventin “Shqipëria Turistike 2030” theksoi rritjen e vizitorëve në vend, duke shtuar se fokusi tani nuk është më sasia e turistëve, por cilësia dhe përvoja që ata marrin.
Rama u shpreh se destinacionet shqiptare kanë pësuar përmirësime të dukshme dhe ka rritje të konsiderueshme të turistëve nga vende si Franca, Gjermania, Kina, India, Brazili, Australia, Turqia dhe Izraeli. Sidoqoftë, ai paralajmëroi se disa plazhe po dëmtojnë imazhin e Shqipërisë për shkak të menaxhimit të keq nga pronarët privatë.
“Kemi raste si plazhi i Ksamilit dhe disa të tjera që janë dhunuar nga injorantët që e shohin si tokë për t’u pushtuar, ku turistët trajtohen si skllevër dhe vendosen çmime të paimagjinueshme. Duhet t’ua heqim nga duart privatëve – Ksamilin nuk mund ta shohim më si plazh privat”, tha Rama.
Kryeministri nënvizoi nevojën për të rritur standardet dhe për të ofruar përvoja më cilësore për turistët, duke vënë theksin te një turizëm që sjell më shumë vlerë për ekonominë shqiptare.