back to top
7.5 C
Tirana
E martë, 3 Dhjetor, 2024
spot_img
KreuAktualitetKosovaKu mbetën linjat hekurudhore dhe ajrore, të parapara me Marrëveshjen e Uashingtonit?

Ku mbetën linjat hekurudhore dhe ajrore, të parapara me Marrëveshjen e Uashingtonit?

Presidenti i zgjedhur i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, do të fillojë mandatin e ri në janar të vitit 2025.

Në shtator të atij viti do të bëhen pesë vjet prej se Trump, i cili ka shërbyer si president edhe nga viti 2017 deri më 2021, ka marrë pjesë në nënshkrimin e Marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve ekonomike mes Kosovës dhe Serbisë.

E njohur si Marreveshja e Uashnigtonit, ajo është arritur më 4 shtator të vitit 2020 dhe përmban disa pika – nga krijimi i linjave ajrore dhe hekurudhore mes Kosovës dhe Serbisë deri te njohja e Kosovës nga Izraeli.

Derisa kjo e fundit është përmbushur, shumë pika të tjera mbeten pa u zbatuar.

Ish-zyrtarë të institucioneve të Kosovës që kanë kontribuuar në arritjen kësaj marrëveshjeje, por edhe njohës të ekonomisë thonë se ajo është e leverdishme dhe duhet zbatuar.

Në mesin e pikave më të rëndësishme për qytetarët e të dyja vendeve, ata i vlerësojnë ato që lidhen me lëvizjen e lirë – përkatësisht hekurudhën dhe linjën ajrore – por që nuk janë zbatuar.

Linja hekurudhore dhe ajrore

Me Marrëveshjen e Uashingtonit është paraparë ndërtimi i hekurudhës Prishtinë-Merdare dhe Nish-Prishtinë.

Ajo ka paraparë edhe krijimin e një linje ajrore midis Prishtinës dhe Beogradit dhe anasjelltas, në të cilën do të operonte kompania gjermane ajrore, Lufthansa.

Radio Evropa e Lirë pyeti Qeverinë e Kosovës se përse nuk është punuar në zbatimin e këtyre pikave dhe a pritet, por nuk mori përgjigje.

Marrëveshja, në fakt, është nënshkruar nga ish-kryeministri Avdullah Hoti, vetëm disa muaj para se kryeministri aktual, Albin Kurti, ta merrte pushtetin.

As Hoti nuk iu përgjigj interesimit të Radios Evropa e Lirë për këtë temë.

Trump për Marrëveshjen e Uashingtonit

Në ditën e nënshkrimit të marrëveshjes, presidenti i atëhershëm amerikan, Donald Trump, ka thënë se kjo është “një ditë shumë e rëndësishme dhe historike”.

Pas historisë së dhunës dhe negociatave të dështuara, ka thënë Trump, administrata e tij ka bërë një “përparim të madh” në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë dhe “askush nuk ka menduar se kjo do të jetë e mundur”.

“Është dashur një trimëri e jashtëzakonshme nga presidenti i Serbisë, Vuçiq, dhe kryeministri i Kosovës, Hoti, për t’i filluar këto bisedime dhe për të ardhur në Uashington për t’i përfunduar këto zotime. Duke vepruar kështu, ata i kanë bërë vendet e tyre, Ballkanin dhe botën më të sigurt”, ka thënë Trump.

Ramë Çupeva, i cili ka marrë pjesë në nënshkrimin e marrëveshjes për hekurudhën në cilësinë e drejtorit të atëhershëm të Departamentit të Infrastrukturës Rrugore, thotë se marrëveshja “është ndër më të mirat” që ka bërë Kosova me Serbinë.

Ai thotë se e përkrah “pa rezerva” atë.

“Zbatimi i saj i ka takuar Qeverisë. Por, pas ndërrimit të qeverive, askush nuk ka bërë përpjekje për ta çuar përpara”, thotë Çupeva për Radion Evropa e Lirë.

REL-i kontaktoi zyrtarët e tanishëm në Departamentin e Infrastrukturës Rrugore, që funksionon në kuadër të Ministrisë së Infrastrukturës, por ata nuk u përgjigjën.

Marrëveshje "për tejkalimin e ndasive" dhe fokusimin në ekonomi

Nga Infrakos-i – kompania që operon me rrjetin hekurudhor të Kosovës – konfirmuan se nuk kanë nisur ndonjë punë në hekurudhën Prishtinë – Merdare.

“Ne, si Infrakos, jemi të gatshëm që kurdo që të arrihet praktikisht marrëveshja për zbatimin [e projektit], t’i marrim veprimet tona”, thuhet në përgjigjen dërguar REL-it.

Situatë e ngjashme është edhe me linjën e paraparë ajrore mes Prishtinës dhe Beogradit dhe anasjelltas.

Më shumë se katër vjet pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Uashingtonit, midis dy vendeve nuk fluturon ndonjë avion.

Kompania Lufthansa, e paraparë të operonte në këtë linjë, nuk iu përgjigj pyetjes së Radios Evropa e Lirë se ku nga ngecur procesi.

Autoriteti i Aviacionit Civil të Kosovës thotë në një përgjigje të shkurtër për REL-in se “deri më tani, nuk ka pranuar asnjë kërkesë nga kompania ajrore në fjalë për të filluar fluturimet në linjën Prishtinë – Beograd”.

Lidhjet infrastrukturore Kosovë-Serbi
InfografikëLidhjet infrastrukturore Kosovë-Serbi

Ndër nënshkruesit e marrëveshjes për linjën ajrore ka qenë edhe drejtori i atëhershëm i Aviacionit Civil, Eset Berisha.

Ai kujton se, atëkohë, bota është përballur me pandeminë COVID-19 dhe linjat ajrore kanë qenë të kufizuara.

Por, edhe ai një pjesë më të madhe të fajit e hedh të Qeveria e Kurtit, që ka marrë pushtetin pas asaj të Hotit.

“Qeveria asnjëherë nuk ka treguar vullnet për ta shtyrë përpara këtë marrëveshje, kështu që ka ngecur”, thotë Berisha për Radion Evropa e Lirë.

Për njohësit e çështjeve ekonomike, jetësimi i këtyre projekteve do të duhej të bëhej sa më parë, sepse, përveçse do ta lehtësonin lëvizjen e njerëzve, do të ndikonin pozitivisht edhe në qarkullimin e mallrave.

Lulzim Rafuna, kryetar i Odës Ekonomike të Kosovës, thotë se shpreson se me rikthimin e Trumpit në Shtëpinë e Bardhë, do të kthehet edhe fokusi të zbatimi i Marrëveshjes së Uashingtonit, sepse ajo, sipas tij, ndikon në zhvillimin ekonomik dhe në mirëqenien e qytetarëve.

“Nuk është marrëveshje dosido, nuk është marrëveshje që është nënshkruar në ndonjë sallë apo hapësirë të panjohur. Është marrëveshje që është nënshkruar në Shtëpinë e Bardhë, në Zyrën e Presidentit të SHBA-së dhe ka vlerë shumë të madhe”, thotë ai për Radion Evropa e Lirë.

Kurti, pas fitores së Trumpit, është pyetur nga gazetarët nëse është e pranueshme për të Marrëveshja e Uashingtonit, por ai ka thënë se, fillimisht, pret që të nënshkruhet Marrëveshja e Brukselit

Për këtë të fundit, Kosova dhe Serbia janë dakorduar verbalisht vitin e kaluar në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

Marrëveshja parasheh rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve mes dy vendeve, por në praktikë nuk është zbatuar.

Aktualisht, Kosova dhe Serbia lidhen përmes gjashtë pikave kufitare tokësore: Jarinjë, Bërnjak, Merdare, Mutivodë, Muçibabë dhe Dheu i Bardhë.

Radio Evropa e Lirë kërkoi koment edhe nga Qeveria e Serbisë për Marrëveshjen e Uashingtonit, por nuk mori përgjigj./REL

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat