Shqipëria ka investuar 370 miliardë lekë (rreth 3.8 miliardë euro) në infrastrukturën rrugore gjatë periudhës 2014-2025, duke përfshirë edhe fondin e parashikuar për vitin 2026, sipas të dhënave të Ministria e Financave.
Me këtë shumë, teorikisht mund të ndërtoheshin rreth 350 kilometra autostradë të reja, nga Vermoshi deri në Konispol, sipas kostove që BE-ja llogarit për vendet si Shqipëria.
Investimet kanë shënuar rritje të ndjeshme vitet e fundit: nga 24.4 miliardë lekë në vitin 2014, në 44.5 miliardë lekë më 2025, me kulmin historik në vitin 2025, kur vetëm buxheti për rrugët arriti në 44.3 miliardë lekë. Vetëm viti 2024 shënoi një vlerë prej 405 milionë eurosh.
Megjithatë, ky rritje masive e fondeve nuk është reflektuar në cilësinë e rrugëve. Shumë akse të sapo përfunduara shfaqin dëmtime strukturore pa kaluar një vit përdorimi, duke ngritur pyetje mbi efikasitetin e mbikëqyrjes teknike dhe cilësinë e materialeve.
Për vitin 2026, parashikimi i fondeve bie në 35.4 miliardë lekë, por ekspertët paralajmërojnë se miliardat e shpenzuara rrezikojnë të shndërrohen në një tjetër “gropë financiare”, ku taksapaguesit do të duhet të paguajnë riparimin e veprave të sapo përfunduara.
Problemi kryesor nuk është mungesa e fondeve, por mungesa e përgjegjshmërisë teknike, që po lejon investime rekord të shkatërrohen nga përdorimi normal dhe kushtet atmosferike.
Përveç cilësisë së dobët, politikat e investimeve kanë favorizuar rajonet periferike, duke lënë qendrën e vendit pa infrastrukturë adekuate. Fondet janë përqendruar në projekte si Rruga e Arbrit, Tuneli i Llogorasë, Qukës–Qafë Thanë, Korçë–Ersekë, ndërsa Korridori 8 dhe Korridori 10 janë lënë pas dore për dy dekada, duke rritur kostot për popullsinë e veriut dhe qendrës.
Ekspertët paralajmërojnë se pa një reformim të sistemit të mbikëqyrjes dhe standardeve, paratë publike do të vazhdojnë të shpenzohen pa rezultate të qëndrueshme për infrastrukturën rrugore të vendit.



