Këshilltarët e opozitës në Bashkinë e Shkodrës kanë dalë sot me akuza të forta ndaj kryetarit të bashkisë, Benet Beci, duke e akuzuar për shkelje të rënda në menaxhimin e fondit publik dhe për vendime me prapavijë politike.
Sipas këshilltarëve të djathtë, banorëve të zonës së Thethit u janë marrë para në mënyrë të dyshimtë për leje ndërtimi, për ndërtesa që më pas janë shembur në mënyrë të menjëhershme nga autoritetet vendore.
“A është normale që bashkia të marrë para për ndërtim, e më pas të shembë ato objekte pa paralajmërim? Kush do të mbajë përgjegjësi për këto veprime? Ku kanë shkuar paratë e qytetarëve të Thethit?” – u shpreh një nga këshilltarët.
Opozita në këshillin bashkiak pretendon se pas këtyre veprimeve fshihet një abuzim flagrant me taksat e qytetarëve, ndërsa kërkon transparencë për të gjitha procedurat financiare që lidhen me lejet dhe prishjet në zonat turistike të veriut.
Shkarkime politike në Teatrin “Migjeni”?
Një tjetër pikë e nxehtë në deklaratën e këshilltarëve të opozitës ishte edhe situata në Teatrin Migjeni, ku disa aktorë janë larguar nga puna. Ata e cilësuan këtë veprim si një pastrim politik, duke theksuar se ndërhyrjet në institucionet kulturore po bëhen mbi baza partiake dhe me qëllime kontrolli të skenës artistike të qytetit.
“Shkarkimet në Teatrin ‘Migjeni’ janë politike. Artistët po largohen jo për arsye profesionale, por sepse nuk janë të një mendimi me drejtuesit aktualë. Kjo është e papranueshme”, theksoi opozita.
Në fund të deklaratës, këshilltarët kërkuan që kryebashkiaku Benet Beci të dalë publikisht dhe të japë llogari për paratë e mbledhura për ndërtimet në Theth, arsyet e shembjeve dhe përse qytetarët e ndershëm ndihen të mashtruar dhe të dhunuar nga vendimet e bashkisë.