Prokuroria e Posaçme kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit (SPAK) ka sqaruar rolin e Rezart Kuçi, i cili u arrestua sot për lidhje me aktivitet kriminal.
Sipas SPAK, Kuçi ka ndihmuar grupin e Inez Hajrulla duke siguruar logjistikë për transportin e lëndëve narkotike, duke nxjerrë informacione konfidenciale mbi kontrollet policore, duke ndërhyrë në pajisje celulare duke fshirë të dhëna me interes për hetimin, duke përdorur në mënyrë të paligjshme sistemin TIMS për interesa të personave të përfshirë në aktivitet kriminal si dhe duke përdorur komunikim të koduar përmes aplikacionit SKYECC.
Në vitin 2025, gjatë hetimeve për vrasjet e Gentjan Qarri dhe Bledar Birçaj, të cilat hetuesit i lidhin me grupin e Hajrullës, Kuçi ka shërbyer si shef për hetimin e krimeve në Vlorë dhe ka kryer detyra të tjera në Lushnje dhe në komisariatin numër 1 në Tiranë.
SPAK njofton gjithashtu se Kuçi ishte një nga porositësit e 400 kilogramëve kokainë të trafikuar nga Spanja drejt Gjermanisë në dhjetor 2020, të cilat u kapën nga autoritetet gjermane. Ai bashkëpunoi në këtë aktivitet me Armen Memishajn, i cili është shpallur në kërkim. Sipas hetimeve, ata investuan edhe në mjete lundruese për transportin e drogës.
Rezart Kuçi, sot shef i seksionit të policisë shkencore në Kukës, u arrestua për tre vepra të rënda penale: shpërdorim detyre, trafik droge dhe pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal.



